Kurti: Grenell kërkon marrëveshje me Serbinë deri në shtator

  • 18 May 2020 - 19:13
 Kurti: Grenell kërkon marrëveshje me Serbinë deri në shtator

Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, në bisedën e tij online për Universitetin e Harvardit ka folur rreth rolit të shtetit amerikan në zgjidhjen e problemit me Serbinë dhe arritjen e marrëveshjes finale.

I pyetur për arsyet që administrata e presidentit Donald Trump kërkon një normalizim të shpejtë të marrëdhënieve me Serbinë, Kurti mendon se ambasadori Richard Grenell nuk ia dëshiron të keqen popullit të Kosovës, por kërkesën për përshpejtim të arritjes së marrëveshjes më tepër e sheh si ‘arritje historike nga ana e vetë Grenell”.

“Grenell ka kërkuar një marrëveshje të shpejtë dhe është përshtypje imja se ai nuk deshi të keqen për popullin shqiptar dhe Kosovën dhe kur duhet të bëhet diçka shpejt ju mundohuni të bëni presion dhe ka një nguti prej tij për arritje të marrëveshjes historike, duke u fokusuar më pak në tekstin e marrëveshjes. Ai dëshironte marrëveshjen si qëllim të tij kryesor. Ai në tetor më tha se dëshiron marrëveshje në shkurt, dhe tash dëshiron të arrihet marrëveshje deri në shtator”, ka thënë Kurti.

Për më tepër, Kurti ka thënë se është për një dialog të përgatitur mirë, me SHBA dhe BE si ndërmjetësues.

Sipas tij, presidenti Trump nuk ishte në dijeni kur takoi homologun e tij rus Vladimir Putin në Helsinki se do të fuqizojë influencën ruse në Ballkanin Perëndimor.

“Ka pasur dy dështime për tentim-puç në Maqedoninë Veriore dhe Malin e Zi dhe tash radha e tretë mund të jetë në Kosovë ose Bosnjë. Trump është i preokupuar me fuqizimin e Kinës dhe Putin dëshiron ta shfrytëzojë këtë në Ballkanin Perëndimor”, është shprehur Kurti.

(Kosova Sot Online)