Haxhiu: Do të sigurohemi që viktimat e dhunës të marrin mbrojtje e ushtruesit e saj dënimin e merituar

  • 18 May 2020 - 19:54
Haxhiu: Do të sigurohemi që viktimat e dhunës të marrin mbrojtje e ushtruesit e saj dënimin e merituar

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është informuar për së afërmi me punën dhe sfidat e strehimorëve dhe shërbimeve që ofrojnë ato për viktimat e trafikimit me qenie njerëzore dhe fëmijët pa përkujdesje.

Këto informata, Haxhiu i ka marrë pas një diskutimi online me përfaqësueset e strehimoreve dhe qendrave që ofrojnë shërbime për viktimat e dhunës në familje, viktimat e trafikimit dhe fëmijët pa përkujdesje.

“Sot, kam zhvilluar një bashkëbisedim me përfaqësueset e strehimoreve dhe qendrave ditore që ofrojnë shërbimet për viktimat e dhunës në familje, viktimat e trafikimit me qenie njerëzore dhe fëmijët pa përkujdesje prindërore. Gjatë këtij bashkëbisedimi u njoftova për së afërmi me punën e strehimoreve dhe shërbimet e ofruara, sfidat e punës dhe problemet me të cilat ballafaqohen për çdo ditë”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu, ka premtuar se Ministria që ajo udhëheq do të angazhohet që kësaj kategorie t’i sigurohet strehim dhe mbrojtje.

“Mekanizimi koordinues për mbrojtje nga dhuna në familje, ka qenë i fokusuar tek koordinimi ndërinstitucional me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë, tek krijimi i kushteve adekuate për strehimin e rasteve të reja të dhunës në familje në kohe pandemie, në një hapësirë alternative e cila mbulon kërkesat e rasteve të reja për strehim adekuat, dhe njëkohësisht nuk rrezikojmë rastet e strehuara tani në strehimore në nivel vendi t’i ekspozohen infektimit, si dhe njëkohësisht mbrohet edhe stafi i strehimoreve”.

“Ministria që unë udhëheq do të angazhohet në vazhdimësi bashkërisht me akterët tjerë relevant që kësaj kategorie t’i sigurohet strehim dhe mbrojte dhe që ushtruesit e dhunës të marrin dënimet e merituara në mënyrë që kjo situatë mos të përsëritet në shoqërinë tonë”, ka thënë ajo, përmes një statusi në rrjetin social Facebook.

(Kosova Sot Online)