Me peticion po kërkohet hapja e xhamive në Kosovë, mbi 5 mijë qytetarë kanë nënshkruar deri më tani

  • 19 May 2020 - 16:27
 Me peticion po kërkohet hapja e xhamive në Kosovë, mbi 5 mijë qytetarë kanë nënshkruar deri më tani

Besimtarët myslimanë po kërkojnë hapjen e xhamive në Kosovë, e sidomos për ditën e faljes së namazit të Bajramit që është të dielën. Tashmë është krijuar edhe një peticion online i cili do t’i dërgohet Bashkësisë Islame të Kosovës për shqyrtim. Liridon Kurti i cili është njëri ndër nismëtarët e këtij peticioni, në një lidhje direkte  ka dhënë detaje më shumë për këtë iniciativë.

Kurti tha se deri më tani këtë peticion e kanë nënshkruar më shumë se 5 mijë besimtarë të fesë islame të cilët po kërkojnë që të hapen xhamitë në Kosovë.

“Janë bërë 5 mijë e 100 nënshkrime për tri ditë, janë më shumë se që kemi pritur. Peticioni po nënshkruhet vetëm online. Pritet ta dorëzojmë nesër në Bashkësinë Islame të Kosovës, sepse është i vetmi institucion kompetent për hapjen e xhamive, institucionet tjera mund të bëjnë rekomandime për hapjen ose jo të tyre”, tha Kurti.

Ai theksoi se po kërkojnë që Bashkësia Islame e Kosovës dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të rishqyrtojnë vendimin e datës 14 mars për pezullimin e aktiviteteve me natyrë tubuese në xhamitë e të gjithë Kosovës dhe mbylljen e tyre për adhurime kolektive si pasojë e Covid-19.

“Ne kemi kërkuar rishqyrtimin e vendimit të javës së kaluar të cilin e ka marrë BIK-u bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë, që xhamitë të mos hapen edhe për një afat të pacaktuar. Kemi kërkuar që xhamitë të hapen me protokoll shëndetësuar të rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës. Mirëpo në rast se nuk ka mundësi të hapen në atë formë, do të thotë me respektim të distancës dhe rregullave të caktuara, ne kemi kërkuar që të paktën namazet të falen në sheshe, sidomos namazi i Bajramit”, deklaroi Kurti në një lidhje direkte për Gazetën Express.

Peticioni online

Ai po ashtu tha se distanca në xhami mund të respektohet, pasi sipas tij, hoxhallarët kanë autoritet të madh brenda xhamive.

“Distanca mund të menaxhohet, xhamitë kanë edhe oborre, por mund të menaxhohen edhe për shkak se autoriteti i hoxhallarëve brenda xhamive është shumë më i madh se sa duket jashtë”, deklaroi Kurti.

(Kosova Sot Online)