Qeveria merr vendim për plotësimin e Pakos Emergjente

  • 19 May 2020 - 21:43
 Qeveria merr vendim për plotësimin e Pakos Emergjente

Kryeministri në detyrë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, ka thirrë mbledhjen korresponduese (mbledhje elektronike), mbledhja e 33-të e Qeverisë, në të cilën ka diskutuar dhe aprovuar vendime nga fushat e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Me vendimin e parë të miratuar nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme, është ndryshuar dhe plotësuar vendimi i Qeverisë për emërimin e Këshillit Shkencor të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Me propozimin e Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinës, është vendosur që anëtar i këtij këshilli nga ky fakultet, në vend të Arben Mehmetit të jetë Imer Rusinovci.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Pakos Emergjente Fiskale. Me ndryshimin dhe plotësimin e vendimit në mbledhjen e sotme, janë ndarë 20 milionë euro për subvencionimin e ndërmarrjeve publike që kanë vështirësi financiare për shkak të situatës së krijuar nga emergjenca e shëndetit publik dhe me qëllim të sigurimit të likuiditetit të tyre. Këto subvencione mund të kushtëzohen me reduktimin e ndarjeve buxhetore për vitin aktual dhe për vitet në vijim për ndërmarrjet publike.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar Programi Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit 2020-2024. Ky është Programi i pestë me radhë për zbatimin e MSA-së ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës, që nga hyrja e saj në fuqi, më 1 prill 2016. Programi ka për qëllim zbatimin e të gjitha reformave për adoptimin e Acquis-së së BE-së në legjislacionin kombëtar në të gjithë kapitujt e saj.

Programi i rishikuar paraqet një kornizë gjithëpërfshirëse të reformave konkrete afatshkurtra dhe objektivave prioritare afatmesme me prioritet (për periudhën 2020-2024) për zbatimin e MSA-së, përmes përfarimit të legjislacionit kombëtar me atë të BE-së dhe zbatimit të legjislacionit të përafruar. Të gjitha masat dhe prioritetet janë të ndara në tri blloqe: Kriteret Politike, Kriteret Ekonomike dhe Standardet Evropiane – Përafrimi i Legjislacionit të Kosovës me acquis-në e BE-së.

Kriteret ekonomike janë harmonizuar me Programin për Reforma Ekonomike (PRE). Ky bllok gjithashtu reflekton prioritete dhe aktivitete të dalë nga mekanizma të tjerë të dialogut me BE-në, si prioritetet vjetore, konkluzionet e strukturave të MSA-së, ose nga mekanizmat multilateralë, si marrëveshjet me FMN, etj. Ky bllok përmban dy kapituj: Ekzistenca e ekonomisë funksionale të tregut, dhe Kapaciteti për t’u përballur me presionin e konkurrencës dhe forcat e tregut brenda Unionit.

Standardet evropiane – përafrimi i legjislacionit të Kosovës me acquis-në e BE-së përfshin të gjitha politikat publike që mbulojnë acquis e BE-së dhe kërkon reformimin e tërë qeverisjes përmes miratimit të saj në legjislacionin kombëtar dhe zbatimit të saj. Ai përmban 33 kapituj të acquis-së dhe një kapitull mbi kornizën ligjore për përafrimin e legjislacionit vendor me acquis.


Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar nismën për negocimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës (CEB) për financimin e projektit “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19”. Nisma parasheh arritjen e marrëveshjes për kredi në vlerë prej 35 milionë euro që do të përdoret për përmirësimin e shërbimeve mjekësore për qytetarët e Kosovës të prekur nga COVID-19.

(Kosova Sot Online)