Ngjarjet e karantinës: Muzikë e valle, rrahje e manipulime, deri tek vdekja e Agon Musliut dhe vjedhjet skandaloze

  • 20 May 2020 - 07:14
Ngjarjet e karantinës: Muzikë e valle, rrahje e manipulime, deri tek vdekja e Agon Musliut dhe vjedhjet skandaloze

Me t’u lajmëruar koronavirusi në Kosovë – institucionet e vendit u hodhën në organizim për të gjetur një vend ku do të mund të karantinoheshin njerëzit të cilët hyjnë në Kosovë nga shtetet e tjera.

Qeveria e Kosovës në koordinim me minsitritë përkatëse në menagjimin e situatës me koronavirus vendosën të Qendra e Studentëve në Prishtinë të shndërrohej në karantinë, shkruan lajmi.net.

Kjo edhe ndodhi, por që nga dita e parë – kjo karantinë u përcoll me parregullësi, ankesa nga të karantinuarit, mos-respektim të rregullave e deri në vdekjen e një personi.

Fillimisht, në ditët e para të karatinës kishte ankesa nga të karantinuarit lidhur me kushtet të cilat ishin në Qendrën e Studentëve, lidhur me ushqimin që shërbehej në një vend të mbyllur për të gjithë së bashku e të ngjashme.

Në Qendrën e Studentëve nuk u respektuan aspak rregullat e karantinimit, ato të distancës sociale dhe rregulla të tjera ndaluese që janë hartuar për të trajtuar situatën e krijuar me koronavirus.

Aty, u improvizuan edhe mbrëmje muzikore me këng e me valle ku të karantinuarit “e largonin monotoninë e izolimit”, së bashku.

E në Qendrën e Studentëve nuk munguan as incidentet.

Në fillim të Prillit, të karantinuarit të pakënaqur me kushtet, mungesën e testeve në konviktin numer 3 ndodhi një përleshje mes të karantinuarve.

Por, problem tjetër lidhur me këtë ishte edhe lirimi i njerëzve nga karantina në mënyrë të parregullt, e mos-karantinimi i disa të tjerëve.

Opozita e kritikoi dhe akuzoi qeverinë se po i liron nga karantina njerëzit me lidhje politike.

Partia Demokratike e Kosovës në një konferencë për media, madje përmendi edhe njerëz me iniciale të cilët kanë lidhje me politikën dhe janë liruar nga karantina.

“Personi me inicialet B.H. është liruar nga detyrimi i karantinimit meqë atij është falsifikuar mosha qëllimisht në listat e udhëtarëve të riatdhesuar duke u shënuar si 70 vjeçar, përderisa ai në të vërtetë është 35 vjeçar. Po ashtu, dyshohet se personi me inicialet SH.S, vajza e një biznesmeni të njohur, i cili besohet se është mbështetës e financues i Vetëvendosjes, nuk është mbajtur fare në karantinë, sic pretendohet, për shkak të lidhjeve dhe intervenimit të tij. Një tjetër qytetar i moshës së mesme, me inicialet K.D. i ardhur nga Gjermania javën e kaluar, është liruar falë lidhejve dhe nuk ka qëndruar në karantinë.”, tha deputetja e PDK-së, Valdete Idrizi në këtë konferencë.

E përveç këtyre problemeve, në Qendrën e Studentëve që po shërben ende si karantinë ka ndodhur edhe një rast tragjik i vdekjes ku një 26 vjeçar nga Gjilani bëri vetëvrasje.

Agon Musliu, 26 vjeç i cili ishte kthyer nga Gjermania e kishte të pamundur t’i shpëtonte karantinimit, ani pse këtë ia kishin rekomanduar edhe mjekët në Gjermani.

Babai i Agon Musliut ka prezantuar dokumenta të cilat dëshmojnë se gjendja shëndetësore e të birit të tij tashmë të ndjerë nuk ishte e mirë.

I njëjti, në rrëfimet e tij tregon se i biri kishte treguar shqetësim, mërzi e nervozizëm gjatë qëndrimit të tij në karaninë në Qendrën e Studentëve.

Madje, Musliu kishte kërkuar psikolog në karantinë në ditën kur edhe ka kryer vetëvrasje.

E pas vdekjes, Musliu ishte testuar për koronavirus dhe kishte rezultuar negativ.

Opozita ka fajësuar qeverinë për keqmenaxhim të karantinës dhe e ka bërë fajtore qeverinë për vdekjen e 26 vjeçarit nga Gjilani.

E pas lehtësimit të masave që kanë filluar nga dje (18 maj), studentët u lejuan që të shkonin t’i merrnin gjërat e tyre të mbetura nëpër dollapat e dhomave të konvikteve.

Por, shumë prej tyre kur shkuan në dhoma nuk i gjetën sendet me vlerë të cilat iu kishin mbetur atje.

Madje, atyre ua kishin shkatërruar edhe kacat e kursimeve, duke iu marrë kështu çdo gjë me vlerë që kishin.

Lidhur me karantinën në Qendrën e Studentëve, ka pasur pakënaqësi e vazhdon të ketë ende dhe nuk dihet se derikur ky objekt i shfrytëzuar nga studentët do të shërbejë si vend karantine për shkak të situatës me koronavirus. 

(Kosova Sot Online)