Breshri mbrëmë ka dëmtuar kulturat bujqësore, s’ka buxhet të mjaftueshëm për kompensime

  • 20 May 2020 - 16:08
 Breshri mbrëmë ka dëmtuar kulturat bujqësore, s’ka buxhet të mjaftueshëm për kompensime

Mbrëmjen e së martës në Kosovë pati reshje të konsiderueshme të shiut, të shoqëruara me breshër e rrufe. Si pasojë e tyre, ka pasur edhe dëme të mëdha në kulturat bujqësore. Në Rahovec janë dëmtuar të mbjellat e sidomos vreshtat e rrushit. Kryetari Smajl Latifi tha se janë duke bërë vlerësimin e dëmeve. Ndërkaq, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, tha për media se brenda javës do të vlerësohen të gjitha dëmet në tërë vendin dhe do të shikohet kompensimi i tyre

Mbi dy mijë shkarkime rrufesh janë regjistruar vetëm në Prishtinë mbrëmjen e së martës.

Por, reshje të mëdha të shiut të shoqëruara me breshër e rrufe u panë në tërë vendin, duke shkaktuar kështu dëme sidomos në sektorin e bujqësisë.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, tha për media se buxheti i cili është ndarë për dëmet nga fatkeqësisë natyrore është i pamjaftueshëm.

“Për herë të parë Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e ka të ndarë një një buxhet për dëmet nga fatkeqësitë natyrore për tërë vitin. Megjithatë, shuma prej 3 milionë eurosh është e pamjaftueshme, pasi dëmet që shkaktojnë fatkeqësitë natyrore janë të mëdha”, tha Mustafa.

Ai theksoi se nga mbrëmë kur edhe pati reshje të mëdha të shiut dhe breshrit, është në kontakt me kryetarët e komunave, për formimin e komisioneve të cilat vlerësojnë dëmet.

“Nga mbrëmë jam në kontakt me kryetarët e të gjitha komunave. Do ta bëjmë vlerësimin e përbashkët të dëmeve. Sot do të formohen komisionet bashkë me komunat, do të dalim në terren dhe brenda javës do të bëjmë vlerësimin e dëmeve”, deklaroi Mustafa për Express.

Ndërkohë, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, në një lidhje direkte  tha se reshjet e mbrëmshme kanë shkaktuar dëme sidomos në vreshtat e rrushit.

“Sot qysh në mëngjes ekipet e Drejtorisë së Bujqësisë kanë dalë në terren për të parë nga afër cilat janë dëmet nga breshri dhe stuhia e mbrëmshme. Ka zona të cilat janë dëmtuar, ka pjesë me vreshta të dëmtuara, por brenda ditës po presim të kemi një raport më të detajuar se cila është shkalla e dëmit që u shkaktua mbrëmë”, tha Latifi.

Ai theksoi se do të bëhet vlerësimi i dëmeve dhe më pas do të kërkohet ndihmë nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, për kompensim të fermerëve të dëmtuar.

Reshjet e mbrëmshme kanë prekur edhe qytetet tjera të Kosovës, si Pejën, Ferizajn, Shtimen, Gjakovën, Suharekën, Klinën e të tjera.

Lexues të medias nga këto vende kanë dërguar fotografi në të cilat shihet se breshri ka shkaktuar edhe dëme materiale.

Ndërkohë, sipas Prishtina Weather, edhe gjatë ditës së sotme do të ketë mot jostabil, që mund të formojë shtrëngata të shpërndara me shi.

“Gjatë mbrëmjes së djeshme një shtrëngatë e fuqishme që kaloj mbi vendin tonë solli reshje shiu e vende-vende edhe breshër të madh, që shkaktoi dëme në kultura bujqësore. Edhe gjatë ditës së sotme do të jemi nën ndikimin e kushteve atmosferike jostabile, që mund të formojnë shtrëngata të shpërndara me shi. Vende-vende shtrëngatat mund të sjellin reshje intensive shiu, derisa ekziston potencial edhe për breshër”, thuhet në njoftimin e Prishtina Weather.

(Kosova Sot Online)