Quni: Kisha disa emra tjerë si kandidatë për kryeministër kur u propozua Hoti

  • 20 May 2020 - 18:35
 Quni: Kisha disa emra tjerë si kandidatë për kryeministër kur u propozua Hoti

Nënkryetari i LDK’së, Anton Quni ka folur lidhur me abstenimin që ka bërë kur në parti është votuar emri i Avdullah Hotit, si propozim për kryeministër.

Quni ka thënë  se kur është propozuar emri i Avdullah Hotit ai ka pasur si preferencë disa emra tjerë.

“Mos pritni që unë do të shpjegoj të gjitha ato biseda, janë disa çështje që trajtohen brenda LDK’së, janë shumë normale, fryma demokratike e  merr kuptimin kur gërshetohen mendimet e ndryshme, kur është lakuar emri i Avdullah Hotit për kryeministër unë kam preferencë disa emra tjerë. Nuk dot ë ishte korrekte tani me i laku, kryetari jonë është i njohur, të gjithë anëtarët e kryesisë, por, kam fol për emra të cilët ndoshta munden me kontribu që me riparu pak situatën sepse nga kjo situatë ne kemi dal të dëmtuar. Kam mendu që një person i nominuar për kryeministër, duhet të jetë më i pranueshëm edhe nga struktura edhe nga elektorati, është kriju një shpërputhje e opinioneve, sepse gjërat ishin shumë dinamike. Që LDK të del nga kjo situatë sa më pak e lënduar kam menduar që janë disa personalitete që duhet t’i kemi në konsideratë”, thotë ai, teksa shton se nuk dyshon në Hotin si kryeministër, e se e respekton vendimin e kryesisë për këtë temë.

“Unë nuk dyshoj në lojalitetin e z.Hoti ndaj LDK’së për aftësisë e tij menaxheriale etj etj, po thjesht ka qenë një çështje që kam mëndu se duhet të merret në konsideratë. Kur është bërë votimi unë kam abstenu, por, shumica ka votu që profesori Hoti të jetë kandidat, unë e respektoj vendimin e kryesisë”, thotë ai.

Nënkryetari i LDK’së, ka folur edhe për raportin që ka me kryetarin e partisë, Isa Mustafën.

“Është raport normal, njerëzor, profesional, nuk kam asnjë vërejtje”, ka shtuar ai.

Sa i përket koalicionit me AAK’në e partitë tjera, Quni thotë se ka kërkuar që në dikastere të ketë kuadro profesionale.

“Edhe kur është fol me koalicionin i kam shpreh rezervat, kam kërkuar që përveç LDK’së që do të ofrojë kuadro kredibile me moral të lartë e profesional, të njëjtën ta bëjnë edhe partitë partnere, kjo ka qenë esenca e tërë qëndrimit tim, thjesht të sigurohen që edhe partnerët të ofrojnë kuadro sa më të mira”, tha ai.

(Kosova Sot Online)