Haskuka: Reshjet e shiu dhe breshri kanë shkaktuar dëme të mëdha

  • 21 May 2020 - 16:41
 Haskuka: Reshjet e shiu dhe breshri kanë shkaktuar dëme të mëdha

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka bërë të ditur se breshri dhe reshjet e mëdha të shiut kanë shkaktuar dëme të mëdha në rajonin e Anadrinisë dhe fshatrat përreth

Haskuka ka shkruar në Facebook se nuk ka pasur dëme në njerëz, por ka theksuar se dëmet janë serioze nëpër shtëpi dhe në kulturat bujqësore.

“Nga këto fatkeqësi natyrore fatmirësisht nuk kemi pasoja tek njerëzit, mirëpo dëmet janë serioze nëpër shtëpi dhe sidomos në kulturat e ndryshme bujqësore që janë shkatërruar tërësisht, duke ditur që rajoni i Anadrinisë është i njohur për zhvillimin e bujqësisë”, ka shkruar Haskuka.

Haskuka thotë se bashkë me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural kanë krijuar komisione të përbashkëta për vlerësimin e dëmeve.

“Për këtë arsye me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural menjëherë kemi krijuar komisione të përbashkëta për të evidentuar dhe vlerësuar këto dëme në bujqësi, në mënyrë që më pas të bëhet edhe kompensimi i tyre. Gjithashtu edhe me Drejtorinë për Emergjencë dhe Siguri, do të bëjmë analizën e terrenit për mundësinë e intervenimeve në shtratin e lumit dhe në infrastrukturë, në mënyrë që mos të përsëritet më kjo gjendje nga fatkeqësitë e tilla natyrore”, ka shkruar Haskuka.

(Kosova Sot Online)