Berberi amerikan punoi me simptoma të Covid-19, i rrezikoi 91 persona

  • 23 May 2020 - 12:22
 Berberi amerikan punoi me simptoma të Covid-19, i rrezikoi 91 persona

Një floktar amerikan ka punuar tetë ditë me simptoma të koronavirusit, duke i ekspozuar 91 persona ndaj sëmundjes. Ky rast ka ndodhur në Missouri, njoftuan zyrtarët shëndetësorë.

Rasti e vë në pah rrezikun nga përhapja e sëmundjes në komunitet në kohën kur bizneset në Shtetet e Bashkuara po fillojnë të rihapen pas disa javëve të ngujimit për ta luftuar përhapjen e koronavirusit, shkruan “CNN”.

Clay Goddard, drejtor rajonal i Departamentit të Shëndetësisë, tha se ky floktar i ka ekspozuar ndaj virusit 84 klientë dhe shtatë kolegë të punës, të cilët janë njoftuar për rrezikun nga ekspozimi.

“Ky individ dhe klientët e tij kanë pasur maska. 84 klientët që potencialisht janë ekspozuar në mënyrë të drejtpërdrejtë do të njoftohen nga Departamenti i Shëndetësisë dhe do t’u ofrohet testimi. Njësoj do të veprohet me shtatë kolegët e tij”, thuhet në një deklaratë të këtij institucioni.

Goddard nuk ofroi hollësi shtesë për indentitetin apo gjendjen e floktarit. Megjithatë, ai tha se zyrtarët shëndetësorë kanë vënë kontakte me njerëzit e ekspozuar, duke shtuar se berberi kishte ruajtur kontakte me klientët, gjë që e bëri të mundur gjetjen e tyre.

(Kosova Sot Online)