Virusi përçan BE-në, Austria, Holanda, Danimarka e Suedia nuk duan borxh të përbashkët

  • 23 May 2020 - 12:46
 Virusi përçan BE-në, Austria, Holanda, Danimarka e Suedia nuk duan borxh të përbashkët

Në kohën kur Evropa po përpiqet të hartojë plane për rimëkëmbje ekonomike nga pandemia, kanë filluar të dalin në pah përçarjet e para.

Katër shtete të Bashkimit Evropian – Austria, Holanda, Danimarka dhe Suedia – i kanë paraqitur propozimet e tyre për të dalë nga kriza ekonomike, shkruan “The Guardian”.

Duke e ritheksuar kundërshtimin e tyre ndaj çfarëdo instrumenti të borxhit të përbashkët, këto shtete thanë se vendet e prekura më së shumti nga koronavirusi duhet të ndihmohen përmes huave të papërsëritshme, bazuar në një propozim të publikuar nga zyra e kancelarit austriak, Sebastian Kurz.

Në këtë propozim thuhet se paratë e dhëna hua duhet të drejtohen në aktivitete që kontribuojnë më së shumti për rimëkëmbje, siç janë hulumtimet shkencore dhe inovacioni, përmirësimi i kapaciteteve në sektorin e shëndetësisë dhe sigurimi i një tranzicioni të gjelbër.

Më herët gjatë kësaj jave, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, e propozuan një fond prej 500 miliardë eurosh për riparim të ekonomisë së shkatërruar nga pandemia.

Sidoqoftë, këto katër shtete po këmbëngulin që nuk duhet të ketë borxh të përbashkët, sepse ato besojnë se një proces i tillë do të ofronte përfitime për shtetet që ofrojnë më pak fonde në kurrizin e fqinjëve më të fuqishëm veriorë.

(Kosova Sot Online)