Ja kush thotë: Kurti ka të drejtë të reagojë për mënyrën se si u rrëzua

  • 24 May 2020 - 16:07
Ja kush thotë: Kurti ka të drejtë të reagojë për mënyrën se si u rrëzua

Gjykoj se Gjykata Kushtetuese duhet t’i qëndrojë precendentit të vitit 2014, ku ka deklaruar se nuk mund të anashkalohet partia e parë nga formimi i qeverisë. Përndryshe, do ta delegjitimonte veten dhe rendin kushtetues ekzistues. Në këtë situatë, gjykoj se duhet një marrëveshje politike, ku secila palë të sakrifikonte diçka. Pastaj të ndryshohet Kushtetuta dhe të qartësohet se shkohet në zgjedhje, nëse mazhoranca s’e krijon shumicën. Përndryshe, vetëm Kurti dhe Vetvendosja zor se do të mund ta sillnin ndryshimin e paralajmëruar. Kam pritur reagimin e gjithë Kosovës kur u rrëzua Teatri Kombëtar. 


Në Kosovë ka një polarizim të madh dhe janë në pritje të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese se kush ka të drejtë ta formojë qeverinë e re pas rrëzimit të qeverisë së Albin Kurtit. Ndryshimi i pushtetit po duket se sjell traumë të madhe, sidomos te shqiptarët, pasi paritë s’po pajtohen lehtë me verditktin e votuesve. Si e shihni ju një zgjidhje që do të ishte më e mira për qytetarin kosovar? 


Fatos Lubonja: Kjo situatë më evokon situata të ngjashme, si në Kosovë dhe Shqipëri, ku partitë (pjesët sipas kuptimit të fjalës) luftojnë që ta eliminojnë pjesën tjetër për t’u bërë e tëra. Idealisht, do të doja një zgjidhje që të hapte një epokë të re në botën shqiptare, ku secila “pjesë” të respektonte tjetrën në interesin e së tërës dhe ku Gjykata Kushtetuese të luante rolin e arbitrit që qëndron mbi pjesët.

Sinqerisht, e kam të vështirë të formuloj një propozom konkret që do t’i afrohej këtij ideali, por po hedh një ide. Gjykoj se Gjykata Kushtetuese duhet t’i qëndrojë precendentit të vitit 2014, ku ka deklaruar se nuk mund të anashkalohet partia e parë nga formimi i qeverisë – çka pashë që e ka thënë së fundmi edhe ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani – sepse përndryshe do ta delegjitimonte veten dhe rendin kushtetues ekzistues. Mirëpo këtu lind një problem qeverisshmërie, pasi mund të ndodhë rregullisht që një parti të dalë gjithmonë e para, por të mos krijojë asnjëherë mazhorancë qeverisëse e ta mbante kështu peng vendin. E këtu vijmë tek vërejtja që i ka bërë Albin Kurti më 2014 këtij vendimi, duke thënë se qeverinë duhet ta krijojë kush krijon mazhorancën.

Duke e pasur parasysh gjithë kontekstin politik se si u rrëzua kjo qeveri në kohë pandemie dhe konfliktualitetin që mund të sjellë në vazhdim ky veprim duke rënduar klimën politike të Kosovës, gjykoj se duhet një marrëveshje politike, ku secila palë të sakrifikonte diçka. Kjo marrëveshje do të ishte pranimi nga të gjitha partitë i një ndryshimi kushtetues që do ta riformulonte qartazi idenë se qeverinë e krijon mazhoranca dhe pastaj të shkohet në zgjedhje. Kështu do të mund të respektohej vullneti i të gjithë popullit të Kosovës dhe të gjitha palët do të merrnin atë që meritojnë.

Cili duhet të jetë pozicioni i Kurtit si fitues i zgjedhjeve të fundit? 
 


Fatos Lubonja: Kurti ka të drejtë të reagojë për mënyrën se si u rrëzua, por mendoj se, – duke e pasur parasysh edhe propozimin që e bëra më sipër – ai duhet ta ndërtojë veprimin e tij politik duke e pasur më shumë parsysh parimin se politika është arti i të mundshmes dhe se ndryshimi që ai premton ta sjellë në Kosovë – çka më duket se ka një mbështetje të gjerë në popull – kërkon bashkëpunim me sa më shumë aktorë dhe se kërkon gjithashtu kohë e durim. Përndryshe, vetëm ai dhe Vetëvendosja zor se do të mund ta sillnin këtë ndryshim, përkundrazi, ngulmimi në një lloj radikalizmi përjashtues mund të bëjë që Kosova të dobësohet edhe më, duke humbur energji në luftrat për pushtet midis partive.

Kemi edhe një raport të acaruar ndërmjet dy qeverive, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë, pas shembjes së teatrit në Shqipëri. A e shihni si normal një acarim të tillë apo qeveritë s`bën të përzihen në punët e shtetit tjetër? 


Fatos Lubonja: Si pjesëtar aktiv në përpjekjen për mbrotjen e Teatrit, kam pritur një reagim nga Kosova dhe faktin që Kurti u deklarua, së bashku me shoqërinë civile kosovare, e kam konsideruar si një mbështetje të së drejtës që do të doja të na kishte ardhur nga e gjithë Kosova, pasi nuk shoh arsye që partitë në Kosovë të rreshtohen si pro Edi Rama dhe kundër tij në këtë çështje. Ky ishte një akt i qartë banditesk, i paligjshëm, një akt grabitjeje i pronës publike, i shkatërrimit të një monumenti historik dhe nëse në Kosovë ka njerëz që i besojnë apo edhe e duan sinqerisht Edi Ramën, sipas meje, duhet të kishin qenë ata të parët që do të duhej të reagonin.


(Kosova Sot Online)