Australianët mund t’i përfitojnë nga 40 mijë dollarë për ndërtimin e shtëpive shkaku i krizës

  • 25 maj 2020 - 11:25
Australianët mund t’i përfitojnë nga 40 mijë dollarë për ndërtimin e shtëpive shkaku i krizës

Banorët e Australisë do të mund t’i përfitojnë nga 40 mijë dollarë për t’i ndërtuar shtëpitë e tyre, nëse miratohet një propozim i shefave të industrisë së ndërtimtarisë.

Pakoja stimuluese për ndërtime është propozuar nga Shoqata e Ndërtuesve dhe ka një vlerë prej më shumë se 13 miliardë dollarëve, shkruan “Daily Mail”.

Zëdhënësi i kësaj shoqate, Will Frogley, tha se pakoja është hartuar për ta nxitur rimëkëmbjen ekonomike dhe për t’i shpëtuar 635,900 vende pune që janë humbur gjatë krizës së koronavirusit.

“Të gjitha masat janë të rëndësishme, por më i rëndësishmi është granti prej 40 mijë dollarëve, sepse ndërtimi i shtëpive të reja ofron efekt të shumëzimit të shumëfishtë në ekonomi”, tha ky zëdhënës.

Ai sqaroi se për ndërtimin e një shtëpie mesatare angazhohen mbi 100 punëtorë, përfshirë instaluesit e rrymës, instaluesit e ujit, shtruesit e dyshemeve dhe furnizuesit me materiale.

“Nëse ata kanë të holla në xhep, mund të shkojnë dhe t’i shpenzojnë ato. Kjo është absolutisht jetike”, shtoi Frogley.

Sipas parashikimeve të këtij plani, për 1 dollar të investuar nga qeveria në pakon stimuluese, kthehen 2.34 dollarë. Pakoja do të sillte rreth 30.9 miliardë dollarë në prodhimin vendor dhe do t’i krijonte 105,500 vende pune në sektorin e ndërtimtarisë.

(Kosova Sot Online)