Kosova po bëhet gati për valën e dytë të Covid-19, premtohen pesë laboratorë dhe trefishim i respiratorëve

  • 25 May 2020 - 18:43
Kosova po bëhet gati për valën e dytë të Covid-19, premtohen pesë laboratorë dhe trefishim i respiratorëve

Ministri në detyrë Arben Vitia, ka thënë se Kosova do të jetë e gatshme për valën e dytë të koronavirusit, që parashikohet se mund të paraqitet në vjeshtë.

Ai në konferencën për media të mbajtur të hënën, ka thënë se nuk e di kur do të paraqitet vala e dytë, porse vendi do ta presë më i gatshëm se që ishte tash.

“Gjatë këtyre muajve kemi siguruar buxhet shtesë në vlerë prej 70 milionë euro, nga qeveria, kreditorët dhe donatorët, jashtë buxhetit të ndarë në fillim të vitit. Këto mjete do të shfrytëzohen jo vetëm në luftën ndaj pandemisë, por edhe për ngritje të kapaciteteve. Në javët e muajt në vazhdim do të shtojmë pesë laboratorë rajonal për testim, do të trefishojmë numrin e respiratorëve, do të shtojmë numrin e aparaturave të monitorimit dhe trajtimit në të gjitha spitalet dhe qendrat e mjekësisë familjareve”, ka thënë Vitia.

Aktualisht Kosova funksionon me vetëm një laborator, atë në kuadër të IKSHPK’së. Ndërkohë, respiratorë në gjithë sektorin publik shëndetësor janë më pak se 100.

Deri më tash, në Kosovë janë shënuar 1032 raste me Covid-19, janë shëruar 789 persona, ndërkohë kanë vdekur 29 persona.

Vitia ka folur edhe për hapjen e bizneseve, shkollave e çerdheve. Sipas tij, kjo mund të ndodhë në fazën e tretë që nis më 1 qershor, por paraprakisht do të bëhet një vlerësim i situatës epidemiologjike.


(Kosova Sot Online)