Britania do ta testojë Remdesivirin te të infektuarit, besohet se e shkurton kohën e shërimit

  • 26 May 2020 - 14:30
Britania do ta testojë Remdesivirin te të infektuarit, besohet se e shkurton kohën e shërimit

Autoritetet shëndetësore në Britaninë e Madhe pritet ta testojnë ilaçin Remdesivir te disa pacientë të infektuar me koronavirus pasi në disa teste klinike u vërtetua se kjo substancë mund ta shkurtojë kohën e shërimit prej sëmundjes për katër ditë.

Qeveria britanike tha se është duke punuar me prodhuesin e këtij ilaçi, “Gilead Sciences”, për ta testuar substancën në një numër të pasaktësuar të pacientëve, te të cilët do të mund të ofronte më së shumti dobi, shkruan “The Guardian”.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë i Shteteve të Bashkuara javën e kaluar tha se të dhënat e siguruara nga testimi klinik i Remdesivirit treguan se ky ilaç sjell më së shumti përfitime te pacientët me koronavirus që kanë nevojë për oksigjen shtesë, por që nuk u nevojitet ventilim mekanik.

Hulumtuesit gjithashtu thanë se duke e marrë parasysh shkallën e lartë të vdekshmërisë pavarësisht përdorimit të Remdesivirit, ka gjasë që ky ilaç të jetë më efektiv kur kombinohet me substanca ta tjera.

Ky vendim erdhi në kohën kur Organizata Botërore e Shëndetësisë e pezulloi testimin e një ilaçi tjetër, hidroksiklorokinës, në një hulumtim global për shkak të shqetësimeve për sigurinë e përdorimit të tij.

Presidenti amerikan, Donald Trump, kishte thënë se është duke e përdorur edhe vetë këtë substancë si masë parandaluese.

(Kosova Sot Online)