Burrat me gisht më të gjatë të unazës janë më pak të rrezikuar nga Covid-19

  • 26 May 2020 - 14:53
Burrat me gisht më të gjatë të unazës janë më pak të rrezikuar nga Covid-19

Sipas shkencëtarëve britanikë, burrat që e kanë më të gjatë gishtin e unazës janë më pak të rrezikuar që të vdesin nga Covid-19 dhe kanë më shumë gjasa që të përjetojnë simptoma të lehta.

Hulumtuesit zbuluan se shkalla e vdekshmërisë nga koronavirusi në shtetet ku burrat kanë gisht më të shkurtër të unazës ishte deri për një të tretën më i lartë se në vendet e tjera, shkruan “Daily Mail”.

Ekspertët thanë se gjatësia e gishtit të unazës përcaktohet nga sasia e testosteronit ndaj të cilës ekspozohet fetusi gjatë rritjes në mitër. Sa më e madhe të ketë qenë sasia e testosteronit në mitër, aq më i gjatë do të jetë gishti i unazës.

Sipas studimit të kryer nga Universiteti i Swansea-s, burrat që kanë nivel të ulët të testosteronit janë dyfish më të rrezikuar nga vdekja prej koronavirusit sesa ata që kanë nivel të lartë të hormonit mashkullor.

Testosteroni besohet se mbron kundër simptomave të rënda të koronavirusit përmes rritjes së numrit të receptorëve ACE-2 në trupin e njeriut.

Shkencëtarët besojnë se koronavirusi SARS-CoV-2 futet në trup dhe e shkakton infeksionin pikërisht përmes këtyre receptorëve. Megjithatë, studimet gjithashtu tregojnë se niveli i lartë i këtyre receptorëve i mbron edhe mushkëritë nga dëmtimi.

(Kosova Sot Online)