Spitalet britanike shënojnë 142 të vdekur nga Covid-19 për 24 orë

  • 26 May 2020 - 15:49
 Spitalet britanike shënojnë 142 të vdekur nga Covid-19 për 24 orë

Gjatë 24 orëve të kaluara, në spitalet britanike janë shënuar 142 të vdekur nga koronavirusi.

Nga kjo shifër, 116 raste fatale u shënuan në Angli, 18 në Skoci dhe tetë në Uells, ndërsa Irlanda Veriore ende nuk i ka publikuar të dhënat për 24-orëshin e fundit, shkruan “Metro UK”.

Kjo shifër është preliminare, sepse në të nuk janë të përfshira rastet që kanë ndodhur në shtëpitë e të moshuarve. Departamenti i Shëndetësisë pritet që më vonë gjatë ditës ta publikojë shifrën zyrtare të viktimave.

Departamenti i Shëndetësisë zyrtarisht deri më tani i ka regjistruar 36,914 viktima dhe 261,186 të infektuar.

Megjithatë, sipas Zyrës për Statistika Kombëtare, numri i vërtetë i të vdekurve nga sëmundja e re mund të ketë shkuar në mbi 47 mijë.

Britania e Madhe është vendi i dytë në botë për numrin më të lartë të të vdekurve nga Covid-19, pas Shteteve të Bashkuara, dhe shteti i katërt për më së shumti të infektuar, pas Shteteve të Bashkuara, Brazilit dhe Rusisë.

(Kosova Sot Online)