E tmerrshme: I arrestuari i prangosur vdes pasi polici amerikan ia shtyp qafën me gju

  • 26 May 2020 - 16:03
 E tmerrshme: I arrestuari i prangosur vdes pasi polici amerikan ia shtyp qafën me gju

Në internet është publikuar një pamje e tmerrshme, ku një polic amerikan në Minneapolis shihet duke ia peshuar gjurin mbi qafë për disa minuta një personi të arrestuar, të prangosur e të shtrirë në rrugë. Më vonë, i arrestuari e humb vetëdijen dhe vdes në spital.

Incizimi është bërë nga një kalimtar i rastit të hënën dhe ka bërë që FBI-ja t’i fillojë hetimet për këtë rast, shkruan “Daily Mail”.

Policia lokale më vonë konfirmoi se burri i arrestuar vdiq dhe se ai ishte i dyshuar për falsifikim.

Personi i paidentifikuar u dërgua me autoambulancë në qendrën mjekësore në Hennepin.

Në pamjet e publikuara në internet shihet se si një polic vazhdimisht ia shtyp qafën me gju personit të arrestuar, i cili thotë se nuk mund të marrë frymë. “Ju lutem, ju lutem, nuk po mund të marr frymë”, dëgjohet duke thënë ai.

Megjithatë, polici vazhdon t’ia mbaj gjurin mbi qafë dhe duket se e lëshon peshën e trupit mbi të arrestuarin.

Raportohet se policët e përfshirë në këtë rast janë pezulluar përkohësisht dhe Byroja për Arrestime Kriminale në Minnesota i është bashkuar FBI-së për hetime.

(Kosova Sot Online)