Gjykatat mbesin të mbyllura përkundër lehtësimit të masave

  • 26 May 2020 - 18:43
 Gjykatat mbesin të mbyllura përkundër lehtësimit të masave

Që nga raportimi i rasteve të para me koronavirusin e ri në muajin mars, gjykatat edhe prokuroritë në Kosovë nuk janë duke u marrë me raste tjera përveç atyre që lidhen me paraburgime ose dhunë në familje.

Kjo mënyrë e funksionimit është duke vazhduar ende, pavarësisht lehtësimit të masave për lëvizje të lirë nga autoritetet përkatëse.

Ibrahim Fazliu nga Peja, tha për Radion Evropa e Lirë, se për shkak të mosfunksionimit të gjykatave, rasti i tij për një çështje pronësore, disa herë është shtyrë dhe ka mbetur në pritje të rifillimit të punës së gjykatave.

“Më 7 maj e kam pasur gjykimin, por nuk është mbajtur. Tash nuk e di kur mbahet seanca e ardhshme për shkak të pandemisë. Kjo pritje po më shkakton nervozë të madhe. [Gjyqtarët] i kanë pagat e mira…ata duhet të punojnë dhe t’i mbajnë seancat në distancë dhe lënda ime mund të kryhet në mënyra të ndryshme”, tha Fazliu.

Kjo mënyrë e funksionimit të gjykatave, për Ehat Miftarajn, drejtorin e Institutit të Kosovës për Drejtësi, është e papranueshme. Ai konsideron se si Këshilli Gjyqësor po edhe ai Prokurorial i Kosovës, janë duke u vonuar në marrjen e masave për hapjen e gjyqësorit.


Sipas tij, të dyja këto institucione duhet të jenë me kërkuese në raport me Ministrinë në detyrë të Shëndetësisë dhe të kërkojnë që gjyqtarët dhe prokurorët të kthehen në punë dhe të punojnë në lëndët, të cilat nuk ka nevojë që të ftohen palët.

“Puna e gjyqësorit nuk janë vetëm seancat gjyqësore, ka edhe punë të tjera të cilat mund të kryhen në zyrë. Këshillat (Gjyqësor dhe Prokurorial) kohëve të fundit, janë duke funksionuar me vetëm 30 për qind të stafit. Kjo dëshmon që fatkeqësisht këtë pandemi, në njëfarë mënyrë, janë duke e shfrytëzuar për pushime vjetore, po assesi jo atë që e kërkon drejtësia e sundimi i ligjit, që të ndërmerren të gjitha masat që t’iu ofrojnë shërbime qytetarëve e që t’i ushtrojnë kompetencat për përgjegjësitë e tyre, në mënyrë që të mos vijë deri të grumbullimi i lëndëve”, tha Miftaraj.

Miftaraj tha se grumbullimi i lëndëve do të thotë se drejtësia po vonohet, e që sipas tij, janë qytetarët ata që pësojnë nga ky mosfunksionim.

“Edhe në këtë kohë pandemie, numri i madh i lëndëve do të ndikojë në efikasitetin e punës të sistemit prokurorial dhe gjyqësor në vitet në vazhdim”, tha Miftaraj.

Gjykatat punojnë me kapacitet 30 për qind
Në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, thonë se aktualisht në gjykatat e Kosovës po kryhet punë me kapacitete mbi 30 për qind dhe se aktualisht, nuk po shqiptohen vendimet gjyqësore, përveç rasteve urgjente.

Kryesuesi i këtij këshilli, Skënder Çoçaj, tha për Radion Evropa Lirë, se janë në pritje të vendimeve të autoriteteve kompetente për lejimin e kthimit të stafit në gjykata.

“Rastet të cilat janë shtyrë, janë ato raste që në fillim kur nisi pandemia, por nuk e dimë numrin ose përqindjen e rasteve të shtyra”, tha ai.

Drejtuesit e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe atij Gjyqësor patën thënë për Radion Evropa e Lirë, se puna e tyre në shqyrtimin e rasteve dhe marrjen e vendimeve do të vazhdojë edhe në formën online, por diçka e tillë nuk ka nisur ende.

Zyrtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës kanë thënë se grumbullimi i lëndëve të pazgjidhura vazhdon të jetë problem, i cili gjyqësorin po e përcjellë në vazhdimësi për dy dekada.

Aktualisht në Kosovë janë mbi 200 mijë lëndë të pazgjidhura, e që numri më i madh i tyre është në gjykatat themelore.

(Kosova Sot Online)