Vulin ofendon Kurtin e Djukanovicin

  • 27 May 2020 - 07:19
Vulin ofendon Kurtin e Djukanovicin

Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandar Vulin, sot deklaroi se biseda për ekonomi mes Kryeministrit në Detyrë të Kosovës, Albin Kurtit, dhe Presidentit të Malit të Zi, Milo Djukanovic, sipas tij u ndoq me kujdes dhe miratim nga kartelet e drogës.

“Kur Kurti e Djukanovic bisedojnë për ekonomi atë me vëmendje dhe miratim e ndjekin tek kartelet e Shkalarëve, Kavaçëve, Dukagjinit e karteleve tjera të cilët për shkak të kufijve të mbyllur po vuajnë humbje të mëdha” ka thënë në njoftimin e dërguar mediave serbe, ku komentoi bisedën telefonike mes presidentit malazez dhe kryeministrit kosovar.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Malit të Zi, Milo Djukanovic, kishin biseduar rreth rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë. Temë ishte edhe dialogu me Serbinë ku presidenti malazez e siguroi kryeministrin kosovar se gjithmonë do të jenë fqinjë të sinqertë.

Serbia dhe Mali i Zi janë në konflikt për shkak të ligjit për komunitete fetare që u miratua nga parlamenti i Malit të Zi në fillim të vitit dhe nxiti trazira e protesta të cilat u ndaluan për shkak të pandemisë. Situata shpërtheu përsëri javën e kaluar pas arrestimit të një ipeshkvi dhe disa priftërinjve të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi pas kishin shkelur rregullat gjatë pandemisë.

(Kosova Sot Online)