Analiza e fortë e Qarrit: Shefat e partive politike në Kosovë po e instalojnë sistemin e diktaturës dhe të skllavërisë

  • 28 May 2020 - 07:02
Analiza e fortë e Qarrit: Shefat e partive politike në Kosovë po e instalojnë sistemin e diktaturës dhe të skllavërisë

”Në Kosovë vepron një demokraci e brishtë,embrionale dhe e pakompletuar sa dhe si duhet politikisht,ku fjalën kryesore e ka lideri dhe që nga shpallja e pavarësisë e këtej, prioriteti themelor dhe preferencë të veçantë edhe për miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë ishte jo profilimi i partive por stabilitetin në vend. Ndaj megjithëse kanë kaluar mbi dy dekada pas lufte ende nuk dihet se deri kur do të lejojnë qytetarët e Kosovës që liderët partiak me imponimin e tekeve të tyre,të vazhdojnë të mbeten, jo vetëm udhëheqës të përkohshëm por të sillen edhe si pronarë faktik të subjekteve politike”, thotë analisti politik Gani Qarri.

Image
Gani Qarri

Edhe pse po kalojnë më shumë se dy dekada në liri, në sistem të demokracisë shumë partiake pluraliste, sipas analistëve politik kosovarë, demokracia në Kosovë nuk po arrin të ndërtohet dhe të fuqizohet sipas modeleve të demokracive të shteteve të zhvilluara në rajon dhe më gjerë, në Evropë. Kjo për fajin e liderëve të partive politike, që i kanë uzurpuar dhe privatizuar ato, dhe kështu po e instalojnë një sistem totalitar deri në skllavërim të skajshëm. Kështu e sheh situatën analisti politik Gani Qarri, i cili thotë se është koha, mbase edhe e vonuar që të ndryshon kjo gjendje, që të çlirohet politika nga uzurpatorët dhe diktatura e liderit.

“Partitë politike si forma të veçanta të organizimit shoqëror edhe pas më tepër se njëzet viteve në liri, ende nuk kanë arritur të profilizohen si duhet dhe ta ndërtojnë një sistem të mirëfilltë të politikë-bërjes në vend.Madje në një shoqëri në zhvillim sikur kjo e jona,diskursi i liderit politik ka vazhduar edhe në Kosovën e pasluftës, i cili vazhdon ta ruajë diktatin për çdo gjë, përfshi edhe vendimmarrjen,e cila si mënyrë funksionimi,nuk i bën aspak mirë demokracisë. Kjo për vet faktin se edhe në nivel vendi, të mos them edhe rajoni, brenda dhe jashtë segmenteve apo partive ekzistuese politike mungon prania e një qytetarie aktive, e mësuar të heshtë njëjtë si mbi 54-55 vitet e kaluara nën diktaturë e pushtime të vendit”, thotë analisti politik Gani Qarri.

Ndaj, sipas Qarrit, duke pasur parasysh rolin transformues në shoqëri që e luan, prania e një qytetarie aktive,bëhet edhe më e nevojshme lindja dhe formimi i një shtrese të re politike e cila, e pa dirigjuar nga lideri, do ta mundësonte ndërtimin e një demokracie të mirëfilltë në vend.

“Përndryshe kasta aktuale e dështuar dhe e shantazhuar politike, për të fituar sa më shumë pushtet për vete dhe qëndruar sa më gjatë në qeverisje,vijon të ideojë pengesa të llojllojshme dhe nga më të ndryshmet për të mos ua marrë kush udhëheqjen.

Ndaj edhe sot,nuk janë më vetëm të huajt por edhe shumë zyrtarë të partive vendore politike të cilët vijojnë të shprehen hapur se Kosova, me gjithë kalimin e kohës, nuk e ka konsoliduar sa dhe si duhet demokracinë e saj të brendshme, ku ende lideri defilon si pronar i partisë. Në Kosovë vepron një demokraci e brishtë,embrionale dhe e pakompletuar sa dhe si duhet politikisht,ku fjalën kryesore e ka lideri dhe që nga shpallja e pavarësisë e këtej, prioriteti themelor dhe preferencë të veçantë edhe për miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë ishte jo profilimi i partive por stabilitetin në vend. Ndaj megjithëse kanë kaluar mbi dy dekada pas lufte ende nuk dihet se deri kur do të lejojnë qytetarët e Kosovës që liderët partiak me imponimin e tekeve të tyre,të vazhdojnë të mbeten, jo vetëm udhëheqës të përkohshëm por të sillen edhe si pronarë faktik të subjekteve politike”, thotë analisti politik Gani Qarri.

Por megjithatë, sipas Qarrit, kjo nuk do të thotë assesi se edhe qytetarët e Kosovës pajtohen me vasalitetet aktuale të anëtarësive politike,gjë të cilën e dëshmuan edhe në zgjedhjet e 6 tetorit duke e votuar opozitën dhe jo më pozitën, përkundrazi janë anëtarët e dëgjueshëm të partive, që pothuajse janë nënshtruar dhe kthyer në rob klasik ndaj liderëve të shndërruar në pronar të partive të cilët ende anashkalojnë me forcë vullnetin e elektoratit për reforma e ndryshime të nevojshme pozitive në parti dhe shoqërinë tonë të shekullit XXI.

“Është koha e fundit që edhe qytetari i Kosovës, të vetëdijesohet dhe nxjerrë përfundimisht nga skena politike uzurpatorët të cilët gjatë gjithë këtyre viteve kanë dëshmuar se nuk dinë të udhëheqin vendin as partitë e tyre, por përkundrazi, të prodhojnë vetëm kriza dhe luajnë me vullnetin qytetarëve, sikur që vepruan edhe pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, duke u bashkuar, i gjithë rrjeti i krimit të organizuar për rrëzimin e Qeverisë së posa formuar dhe lanë vendin pa qeveri funksionale edhe në kohë pandemie”, thotë analisti Gani Qarri.

(Kosova Sot Online)