Me 7 të shëruar dhe veç 1 rast mbrëmë, Kosova po e fiton luftën ndaj koronavirusit

  • 28 May 2020 - 07:21
Me 7 të shëruar dhe veç 1 rast mbrëmë, Kosova po e fiton luftën ndaj koronavirusit

Në Kosovë aktualisht janë edhe 217 raste aktive me koronavirus.

Me 7 pacientë të shëruar sot nga koronavirusi dhe 1 rast të ri, numri i të infektuarve ka shkuar në 1048 ndërsa ai i të shëruarve në 801.

Duke llogaritur në shifrat e përgjithshme edhe numrin e rasteve me koronavirus që kanë përfunduar me vdekje atëherë numri i rasteve aktive aktualisht është 217.

Qeveria e Kosovës ka aplikuar fazën e dytë të heqjes së masave ndaj koronavirusit më 18 maj, ndërsa më 1 qershor pritet të vazhdojë edhe faza e tretë.

Në anën tjetër, shumë biznese nuk kanë filluar ende punën si pasojë e ndalesave të mëdha dhe rregullave strikte të cilat kanë mbetur në fuqi nga faza e dytë.

Kështu, shumica e vendeve të rajonit kanë hequr të gjitha masat dhe kanë hapur ekonominë, derisa Kosova  mbetet e mbyllur së paku deri më 1 qershor.

Ekspertët e shëndetësisë në vend kanë konstatuar se pandemia është duke shkuar drejt fundit, pavarësisht se ngadalë, virusi e ka humbur ashpërsinë.

Kjo është komunikata e IKSHPK-së me statistikat më të fundit të publikuara më herët:

SHTATË TË SHËRUAR DHE NJË RAST ME COVID-19!

Më 27 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 267 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.

Me SARS-CoV-2, është konfirmuar 1 rast.

Rasti pozitiv është rast kontakti nga: komuna e Vushtrrisë 1 rast (sipas vendbanimit: 1 rast Vushtrri).

Sot më 27 maj 2020, janë shëruar 7 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 801 raste.

Nga data 08 shkurt deri më 27 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 13.992 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.048 raste, me gjithsej 30 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 27 maj 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 5.743.246 raste të COVID-19 dhe 354.884 raste të vdekjes.

QYTETARË TË NDERUAR!

JU LUTEMI TË RESPEKTONI MASAT E SHPALLURA TË PARANDALIMIT NGA INSTITUTI KOMBËTAR DHE MINISTRIA E SHËNDETËSISË!

RUAJENI SHËNDETIN TUAJ!

PAKUJDESIA KUSHTON ME JETË!

AKOMA NUK KA KALUAR RREZIKU, ANDAJ:

QËNDRONI NË SHTËPI, KJO UA SHPËTON JETËN!

MBANI DISTANCË FIZIKE PËR SË PAKU 2 METRA!

NA NDIHMONI PAK QË TË JU NDIHMOJMË SHUMË!

Ju faleminderit për mirëkuptim!.


(Kosova Sot Online)