Tabletat për Covid -19 që ia dha Kosovës janë në funksion të hulumtimit, Japonia shtyn afatin e aprovimit të ilaçit

  • 28 May 2020 - 16:07
 Tabletat për Covid -19 që ia dha Kosovës janë në funksion të hulumtimit, Japonia shtyn afatin e aprovimit të ilaçit

I ngarkuari me punë të Ambasadës së Japonisë në Kosovë, Mitsunori Ogasawara në takimin e zhvilluar dje me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca njoftoi se qeveria japoneze ka vënë në dispozicion 2500 tableta të ilaçit Avigan(Favipiravir) për pacientët kosovarë për trajtim në mënyrë që të zgjerohet hulumtimi klinik kundër Covid-19.

Por për aprovimin e ilaçit Avigan(Favipiravir), qeveria e Japonisë ka shtyer afatin e aprovimit e këtij ilaçi për muajin maj si tretman për pacientët me koronavirus pasi raportit i testit të përkohshëm klinik nuk tregoi efikasitet të qartë, ka thënë të martën ministri i shëndetësisë së Japonisë, Katsunobu, shkruajnë mediat japoneze.

“Ne do të vazhdojmë studimet klinike dhe testet klinike të ilaçit nga qershori e tutje. Nuk ka ndonjë ndryshim në politikën tonë për të aprovuar ilaçin me shpejtësi nëse konfirmohet efekti i tij kundër koronavirusit”, ka thënë ministri i shëndetësisë së Japonisë në një konferencë për media.

Disa ekspertë kanë ngritur shqetësimin se qeveria e Japonisë është duke nxituar për të aprovuar ilaçin dhe është duke i minuar procedurat strikte mjekësore për autorizimin e ilaçit.

Ndërkaq, ministri i shëndetësisë së Japonisë, tha se veçman, rreth 3 mijë pacientë me Covid-19 në Japoni deri më tani iu janë përshkruar ilaçi Avigan si pjesë e një “studimi vëzhgues”.

“Kam dëgjuar se nuk ka pasur raste të reja të efekteve anësore të cilat mund të shkaktojnë probleme shëndetësore”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)