BIK njofton se xhumaja do të falet dy herë me nga 10 minuta ligjëratë

  • 28 May 2020 - 19:31
 BIK njofton se xhumaja do të falet dy herë me nga 10 minuta ligjëratë

Bashkësia Islame e Kosovës ka rekomanduar që namazi i xhumasë, gjatë ditës së nesërme të organizohet dy herë, në komunat të cilat janë më të mëdha.

Sipas komunikatës për medie, në kuadër të masave për tu mbrojtur nga rreziku i infektimit nga virusi  Covid-19, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, gjegjësisht kryetari i BIRK-ut Naim  Tërnava ka rekomanduar që komunat më të mëdha si Prishtina, Podujeva, Mitrovica, Ferizaj, Gjilani, Peja, Prizreni, Gjakova të organizojnë faljen e namazit të  xhumasë dy herë ku imamët dhe xhemati njoftohen për këtë çështje.

B

Kjo bëhet në xhaminë  qendrore  të komunave  si dhe ndonjë xhami tjetër që frekuentohet  më shumë nga xhemati.

“Myftiu Tërnava  po ashtu ka kërkuar nga besimtarët  që t’iu përmbahen udhëzimeve dhe rekomandimeve  të BIRK- ut dhe institucioneve shëndetësore në lidhje me ruajtjen e shëndetit publik, nga virusi COVID-19, duke treguar kujdes kur të shkojnë në xhami duke ruajtur distancën sociale t’i vendosin maskat, të marrin abdes në  shtëpi  si dhe ka kërkuar që të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike mos të frekuentojnë në xhami – që të ruajnë shëndetin e tyre si dhe të tjerëve”, thuhet në komunikatë.

Ligjërata e së premtes nuk do të zgjasë më shumë se dhjetë minuta.

(Kosova Sot Online)