Gjykata i jep dritë të gjelbër formimit të Qeverisë Hoti, Presidenti s’e ka shkelë Kushtetutën

  • 28 May 2020 - 22:48
 Gjykata i jep dritë të gjelbër formimit të Qeverisë Hoti, Presidenti s’e ka shkelë Kushtetutën

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur me votë unanime që vendi nuk shkon në zgjedhje pas mocionit të mosbesimit, por hapet rruga për krijimin e qeverisë së re. Sipas këtij vendimi, kandidati për kryeminsitër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, mund ta formojë qeverinë. Derisa, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk e ka shkelur kushtetuën.

Të nëntë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese janë pajtuar për çështjen se dekreti i presidentit nuk është antikushtetues. Sipas tyre, pas kalimit të mocionit, hapet mundësia e një formimi të një shumice parlamentare për ta zgjedhur qeverinë.

Aty thuhet se gjykata vendosi njëzëri që kërkesa e parashtrueseve të kërkesës është e pranueshme.

Më poshtë gjeni vendimet përfundimtarë të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese:

1. Në vlerësimin e Dekretit [nr. 24/2020] të 30 prillit 2020 të Presidentit të Republikës së Kosovës, përmes së cilit “Z. Avdullah Hoti, i propozohet Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidat për Kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës”, Gjykata, vendosi: (i) njëzëri që kërkesa e parashtrueseve të kërkesës është e pranueshme; (ii) njëzëri që Dekreti i kontestuar i Presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re në pajtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës; (iii) me shumicë që Dekreti i kontestuar është në përputhshmëri me paragrafin (14) të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës; (iv) njëzëri që të shfuqizohet masa e përkohshme e përcaktuar përmes Vendimit të 1 majit 2020; dhe (v) njëzëri që të refuzohet kërkesa për seancën dëgjimore. 2

(Kosova Sot Online)