Kurti e kishte zvarritur dërgimin e emrit të mandatarit te Presidenti, Gjykata sonte ka saktësuar afatin

  • 28 May 2020 - 23:41
 Kurti e kishte zvarritur dërgimin e emrit të mandatarit te Presidenti, Gjykata sonte ka saktësuar afatin

Gjykata Kushtetuese e Kosovës me vendimin e sotëm saktësoi edhe afatin të cilin kryeminsitri në detyrë i Kosovës, rrjedhimisht edhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk e shfrytëzoi që ta dërgojë mandatarin për kryeministër

Gjykata Kushtetuese thekson që mos saktësimi i afateve në Kushtetutë nuk nënkupton të drejtën që për të të mos e dërguar mandatarin tek presidenti në afat të pakufizuar kohor.

Më poshtë gjeni nenet që e sqarojnë afatin se sa kohë ka që kryetari i partisë fituese të zgjedhjeve, ta dërgojë mandatarin për formimin e qeverisë tek presidenti.

23. Së dyti, Gjykata rikujtoi që në Aktgjykimin KO103/14, ajo ka bërë dallimin përkitazi me natyrën e “konsultimit” në mes Presidentit dhe partisë politike apo koalicionit me të drejtën për të propozuar mandatarin e parë dhe të dytë. Në rastin e parë, Presidenti nuk ka diskrecion dhe është plotësisht e qartë se cila është partia politike ose koalicioni i cili propozon mandatarin për Kryeministër, rrjedhimisht ky “konsultim” ngërthen një proces krejtësisht formal dhe teknik ndërmjet Presidentit dhe partisë apo koalicionit fitues, për propozimin e një mandatari dhe mandatimin e të njëjtit. Për dallim nga kjo, në rastin e dytë, nuk është e qartë se cila është partia politike ose koalicioni me të drejtën e propozimit të mandatarit, gjë që mbetet në diskrecion të Presidentit për t’u konsultuar me të gjitha partitë politike dhe koalicionet e përfaqësuara në Kuvend për të vlerësuar se cila ka gjasën më të madhe për të formuar Qeverinë, në mënyrë që të shmangen zgjedhet. Rrjedhimisht, ky proces “konsultimi” është më kompleks sesa në rastin e parë dhe megjithatë Kushtetuta përcakton detyrimin për Presidentin që ushtrimin e këtij diskrecioni, ta zbatoj në  afat dhjetë (10) ditor.

24.          Prandaj, në kontekst të: (i) rëndësisë së pakontestueshme të funksionimit efektiv të një Qeverie si një ndër tri shtyllat themelore të pushtetit shtetëror; (ii) sistemit të afateve të sakta dhe të shkurtra të përcaktuara në Kushtetutë lidhur me formimin e një Qeverie; (iii) natyrën krejtësisht të qartë dhe teknike e formale të “konsultimit” në mes të Presidentit dhe partisë politike ose koalicionit fitues, për qëllim të caktimit të mandatarit të parë; dhe (iv) kufizimin e afatit kushtetues në dhjetë (10) ditë për qëllime të caktimit të mandatarit të dytë përmes një “konsultimi” shumë më kompleks, Gjykata thekson që mos saktësimi i afateve në Kushtetutë përkitazi me propozimin e kandidatit të parë për Kryeministër nga partia politike ose koalicioni fitues, nuk nënkupton diskrecionin dhe të drejtën e këtyre të fundit për të mos vepruar në afat të pakufizuar kohor. Përkundrazi, fryma e Kushtetutës reflekton qëllimin e qartë dhe të vetëkuptueshëm të nevojës për veprime të shpejta.


 

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur me votë unanime që vendi nuk shkon në zgjedhje pas mocionit të mosbesimit, por hapet rruga për krijimin e qeverisë së re.

Gjykatësit kanë marrë vendim edhe sa i përket afatit që ka mandatari për krijimin e qeverisë, por pro kësaj kanë votuar 7 gjykatës, 2 kanë dalë kundër.

This is an embedded Microsoft Office document, powered by Office.


 

Presidenti Thaçi mandatoi më 30 prill Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për të formuar një qeveri të re dhe Lëvizja Vetëvendosje kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që të vlerësojë kushtetutshmërinë e veprimit të presidentit.

Të gjitha partitë politike përveç Vetëvendosjes kanë kërkuar formimin e një qeverie të re ndërsa kanë theksuar se do të pranojnë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Lëvizja Vetëvendosje ndërkaq kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje, ndërsa kryetari i saj, Albin Kurti, ka thënë se kjo parti do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, përderisa një gjë e tillë do të jetë interpretim i Kushtetutës.

Para vendimit të Kushtetueses, veprimtarë të VV’së organizuan të enjten pasdite në sheshet qendrore të Prishtinë një, siç thanë ata, provë proteste, duke kërkuar zgjedhje të reja.

Rivalët politikë thanë se protesta është trysni mbi gjykatën, por kjo u hodh poshtë nga Vetëvendosje.

(Kosova Sot Online)