Përkrahësit e Kurtit linçojnë Gjyqtarët e Kushtetueses pas aktgjykimit për Dekretin e Presidentit

  • 29 May 2020 - 13:46
Përkrahësit e Kurtit linçojnë Gjyqtarët e Kushtetueses pas aktgjykimit për Dekretin e Presidentit

Aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje nuk iu ka pëlqyer vendimi i mbrëmshëm i Gjykatës Kushtetuese, me anë të së cilit, lideri i kësaj partie e përfundon rrugëtimin jetëshkurtër si kryeministër i Kosovës. Si shenjë revolte ndaj interpretimit të ligjshmërisë së dekretit të presidentit, militantët e partisë së Kurtit kanë zgjedhur që të kërcënojnë gjyqtarët e Kushtetueses.

Përplasjet në mes të presidentit e kryeministrit në detyrë, për atë se cili ka të drejtë për dekretin u zgjidhën mbrëmë.

I pari i shtetit, doli se nuk e shkeli Kushtetutën e veproi sipas ligjit, kur të drejtën për mandatarin ia dha Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti e dalë e dyta nga zgjedhjet.

Derisa me këtë veprim të Gjykatës, Kurtit i mbeten edhe pak ditë në zyrën e të parit të ekzekutivit, aktivistëve të partisë së tij nuk po i pëlqen interpretimi i ligjshmërisë së dekretit që u publikua mbrëmë, e për këtë kanë paralajmëruar protesta masive.

Vetë lideri i tyre, sot e theu heshtjen, duke e quajtur aktgjykimin e papranueshëm. Këtë skenar Vetëvendosje e pati paralajmëruar qysh herët, duke thënë kanë të drejtë në kërkesën e tyre për zgjedhje të reja, pas mocionit të mosbesimit.

Përveç protestave, prova e dytë për të cilat u mbajt dje me më shumë se 5 mijë pjesëmarrës në shesh, militantët e Albin Kurtit kanë filluar linçimin dhe ndaj nëntë gjyqtarëve të Kushtetueses, që mbrëmë unanimisht votuan në favor të presidentit, Hashim Thaçi.

Në faqen në Facebook me #meKryeministrin, ku ka më shumë se 300 mijë anëtarë, janë publikuar fotografi të gjyqtarëve, ku shkruhet se të njëjtët janë anëtarë të “Prontos”.

Njëri nga anëtarët e këtij grupi, tha se këta gjyqtarë do t’i bartin vetë pasojat.

“Albin kur të vjen reni që e kanë shkelë Kushtetutën, burg të përjetshëm për këta”, shkruhet në këtë postim.

Dikush tjetër i ka përmendur këtyre gjyqtarëve pasurinë. Sipas anëtarëve të këtij grupit, gjyqtarët e Kushtetueses janë ish’pjestarë të dy partive, PDK’së e LDK’së.

(Kosova Sot Online)