Shtatë kryeministrat e Kosovës, asnjëri s’e përfundoi mandatin

  • 29 May 2020 - 21:17
 Shtatë kryeministrat e Kosovës, asnjëri s’e përfundoi mandatin

Që nga përfundimi i luftës, Kosova ka pasur 9 mandate qeverish, në krye me 7 kryeministra. Por, asnjëri nga këta shefa të qeverisë nuk e ka përfunduar mandatin e plotë.

Pas qeverisë së përkohshme të cilën e kishte udhëhequr Hashim Thaci, kryeministër i parë i Kosovës pas luftës u bë Bajram Rexhepi që qëndroi në këtë pozitë nga marsi i vitit 2002.

Në atë kohë dokumenti më i lart juridik në vend ishte Korniza Kushtetuese, pas i që Kosova administrohej nga Misioni i OKB-së në Kosovë i njohur si UNMIK.

Me të njëjtin dokument në fuqi dy vite më vonë, më saktësisht më 3 dhjetor 2004  në këtë pozitë Parlamenti i Kosovës me shumicë votash zgjodhi Ramush Haradinajn.

Pa i bërë as 100 dite punë, Haradinaj dha dorëheqje nga kjo pozitë pasi ndaj tij Tribunali për Krime të Luftës në ish Jugosllavi ngriti aktakuzë ndaj tij, mbi dyshimet për krime lufte.

Kështu, pozita e kryeministrit mbeti e lirë.

Me 71 vota pro dhe 36 kundër Kuvendi i Kosovës më 23 mars të 2005 zgjodhi për kryeministër të Kosovës Bajram Kosumin.

Në këtë pozitë Kosumi qëndroi për 353 ditë.

Pas tij kryeministër i ri i vendit më 2006 u zgJodh Agim Çeku. Me 65 vota për, 33 kundër dhe 5 abstenime, Kuvendi i Kosovës kishte zgjedhur kryeministrin dhe qeverinë e re.

Zgjedhjet e ardhshme, ato të 17 nëntori 2007 sollën fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës. Rrjedhimisht, kre i qeverisë u zgjodh Hashim Thaçi.

 Votimi për zgjedhjen e tij u bë më 9 janar të vitit 2008.

E Hashim Thaçi, nuk e pati këtë mandatin e vetëm. Ai 3 vite më vonë, sërish u zgjodh kryeministër i vendit, pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit të vitit 2011.

Vetëm se nëtë këtë kohë, ishte miratuar Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Në këtë mandati, ai qëndroi më së gjati në historinë e kryeministrave, 1387 ditë.

Por, ani pse më së gjati, ai nuk arriti ta përfundojë mandatin e plotë prej katër vitesh.

Më 2014, ishte Isa Mustafa, kreu i LDK-së ai që u zgjodh kryeministër i vendit me 73 vota për të deputetëve.  Në këtë post Mustafa qëndroi deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ato të 11 qershorit të vitit 2017.

Pas këtyre zgjedhjeve, 3 muaj kohë mori formimi i qeverisë së re në krye me Ramush Haradinajn.

Këtë herë Haradinajt i zgjati mandati më shumë se herën e parë, por prapë nuk e përfundoi atë.

Në korrik të vitit 2019, Haradinaj dha edhe njëherë dorëheqje nga pozita e kryeministrit pasi i njëjti u ftua për intervistim nga Gjykata Speciale në Hagë.

Zgjedhjet e përgjithshme të 6 tetorit në vend nxorën parti fituese Lëvizjen Vetëvendosje në krye me Albin Kurtit.

Muaj më vonë, më saktësisht më 3 shkurt të vitit 2020, Kurti u votua me 66 vota pro, e 10 abstenime.

Në pozitën e shefit të ekzekutivit, Kurti qëndroi vetëm për 51 ditë.

Më 25 mars të këtij viti, mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë së tij rezultoi i suksesshëm. 82 deputetë të Kuvendit të Kosovës votuan për mocionin i cili edhe bëri Qeverinë Kurti më jetëshkurtër prej pasluftës.

(Kosova Sot Online)