Foshnja 5-muajshe i mbijeton koronavirusit pas 32 ditësh në koma

  • 31 May 2020 - 09:39
Foshnja 5-muajshe i mbijeton koronavirusit pas 32 ditësh në koma

Pasi kaloi 32 ditë në koma të induktuar për shkak të koronavirusit, një fëmijë 5-muajsh nga Brazili u shërua dhe tashmë ndodhet në shtëpinë e tij.

Disa muaj pasi lindi, Domi u diagnostikua me Covid-19 në një spital të Rio de Zhaneiros. Babai i tij tha për CNN se Domi kaloi 54 ditë i shtruar aty, 32 prej të cilave në koma të induktuar dhe i lidhur me një ventilator.

“Kishte vështirësi në frymëmarrje dhe doktorët menduan se ishte një infeksion bakterial. Por, ilaçet nuk po bënin punë dhe djali u bë më keq. Kështu që, unë dhe gruaja vendosëm ta çonim në një spital tjetër. Aty e testuan dhe na thanë që kishte koronavirus. Nuk e dimë se nga e mori. Ndoshta kur shkuam të vizitonim një të afërmin tonë”, tregon Wagner Andrade, babai i Domit.

Ai shton se ishte një mrekulli që djali mbijetoi.

Në Brazil janë konfirmuar 25 viktima të moshës nga 0 deri në 12 muajsh nga koronavirusi.

Javën e fundit, Amerika e Jugut është kthyer në epiqendrën e koronavirusit, me 465 000 raste të konfirmuara dhe 27 800 viktima. Brazili është vendi më i prekur i Amerikës së Jugut.

(Kosova Sot Online)