Deshi t’i sulmonte me shpatë, protestuesit e bëjnë llom pronarin e një dyqani në ShBA

  • 31 May 2020 - 14:30
Deshi t’i sulmonte me shpatë, protestuesit e bëjnë llom pronarin e një dyqani në ShBA

Një grup i protestuesve të dhunshëm e kanë sulmuar me gurë dhe me shqelma pronarin e një dyqani, i cili raportohet se po mundohej ta mbronte pronën e tij me një shpatë.

Policia tha se personi i sulmuar është në gjendje stabile, ndonëse u sulmua nga shumë njerëz në të njëjtën kohë dhe u pa i gjakosur në një rrugë të Dallasit, shkruan “Daily Mail”.

Në një video të publikuar në internet shihet se si pronari i dyqanit mban në dorë një mjet të mprehtë dhe se si niset drejt disa protestuesve. Sidoqoftë, pas disa sekondave, disa protestues fillojnë ta gjuajnë me gurë dhe më pas ta godoasin me grushte e shqelma, kur ai rrëzohet në tokë.

Ndonëse pësoi shumë plagë, burri i sulmuar më vonë u pa duke qëndruar ulur dhe duke e mbajtur kokën me dorë para se të dërgohej në spital me auto-ambulancë.

Në mbarë qytetin, policia i ka arrestuar 74 persona vetëm deri në mbrëmjen e së shtunës, që i bie të jetë nata e pestë e protestave në Shtetet e Bashkuara pas vrasjes së afrikano-amerikanit George Floyd nga policia. Ai vdiq pasi një polic ia mbajti për disa minuta gjurin mbi qafë.

(Kosova Sot Online)