Kryeparlamentarja asnjë fjalë për aktgjykimin e Kushtetueses

  • 31 May 2020 - 15:06
Kryeparlamentarja asnjë fjalë për aktgjykimin e Kushtetueses

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Nënkryetarja e LDK’së, Vjosa Osmani, ende nuk e ka thënë asnjë fjalë për vendimin e Gjykatës Kushtetuese në favor të dekretit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, përmes të cilit kishte nominuar zv.kryeministrin e shkarkuar, Avdullah Hotin, për postin e shefit të Qeverisë.

Osmani nuk ka folur ende për një vendim të tillë të Kushtetueses, edhe përkundër faktit se kishte qenë një nga kundërshtaret më të mëdha të dekretit të Thaçit për nominimin e Hotit.

Madje ndryshe nga partia e saj, Vjosa Osmani, në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, në cilësinë e kryetares së Kuvendit kishte deponuar komentin e saj përmes të cilit kishte kërkuar që të shpallej si antikushtetues dekreti i presidentit. Kishte argumentuar përcaktimi i afatit për të propozuar kandidatin për Kryeministër nga partia fituese nuk është i përcaktuar dhe s’mund të përcaktohet nga Gjykata pa u ndryshuar Kushtetuta.

Një qëndrim i tillë i Osmanit i kundërt me atë të LDK’së, kishte nxitur reagime të mëdha nga krerët e partisë. Kryetari I Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, kishte thënë se është e drejte e secilit që të deponojë komente, por kishte thënë se Vjosa Osmani do të duhej të mbante një qëndrim të balancuar.

Kreu I LDK’së kishte thënë se ndjenë keqardhje për një qasje të tillë të nënkryetares së partisë, e cila sipas tij do të duhej të mbronte interesin e LDK’së dhe jo të një partie tjetër.

“Shprehi keqardhje për mundin që e ka bo zonja Osmani . Ajo në vend që të mbroj LDK’në…Konsideroj mjaft të padrejtë këtë sjellje të saj ndaj LDK’së dhe njerëzve të LDK’së. Ajo ia ka borgj LDK’së që të sillet me korrektësi”, kishte deklaruar Isa Mustafa.

Për komentin e Vjosa Osmanit të cilin e kishte deponuar në Kushtetuese kishte folur edhe presidenti Thaçi pak ditë para se të merrej vendimi. Kreu i shtetit kishte thumbuar Vjosa Osmanin, duke thënë se beson që ka vepruar drejt me dekretimin e Avdullah Hotit meqë Osmani e ka kundërshtuar një vendim të tillë.

Thaçi thoshte se sa herë që i ishin kontestuar veprimet nga Vjosa Osmani, në fund i kishte dalë se kishte pasur të drejtë.

Aktualisht partia në të cilën bën pjesë edhe Vjosa Osmani është duke pritur publikimin e Aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese për të proceduar me krijimin e Qeverisë së re. Isa Mustafa sot ka thënë se i kanë siguruar mbi 61 vota dhe se emrat e ministrave do të publikohen së shpejti.

Vendimin e Kushtetueses ndërkohë është duke e kontestuar, kundërshtuar dhe mos pranuar Lëvizja Vetëvendosje e cila ka bërë një peticion online përmes të cilit kërkojnë zgjedhje të reja.

Vjosa Osmani ka qenë e nominuar për Shefe të Qeverisë por dështoi të bëhet Kryeministri pasi humbu garën zgjedhore përballë Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes.

LDK vazhdon të shënojë humbje në secilën palë zgjedhje prej vitit 2004 kur kishte fituar për herë të fundit. Ndërsa ka humbur përpos me Vjosa Osmanin edhe me Avdullah Hotin, Isa Mustafën e Fatmir Sejdiun.

Kryetarja e Parlamentit ka thënë se do të tregojë edhe pozicionin e saj nëse do të mbetet kryeparlamentare pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila i dha të drejtë LDK’së të formojë Qeverinë. Ndërkohë, pozita e Shefit të Parlamentit është e garantuar për partinë e parë, në këtë rast, Vetëvendosjen.

Partia e Albin Kurtit ka deklaruar se është e kënaqur me punën e Vjosa Osmanit.

(Kosova Sot Online)