Australianët nuk duan që çokollatat e tyre të preferuara të prodhohen në Kinë e Egjipt

  • 01 June 2020 - 11:36
Australianët nuk duan që çokollatat e tyre të preferuara të prodhohen në Kinë e Egjipt

Shumë australianë janë të pakënaqur me gjigantin e çokollatave, Mars, pasi zbuluan se disa prej çokollatave të tyre të preferuara tashmë po prodhohen jashtë vendit, përfshirë Kinën dhe Egjiptin.

Mars është prodhuesi i dytë më i madh i çokollatës në Australi dhe prodhon brende të njohura si M&M’s dhe Snickers për më shumë se 40 vjet, shkruan “Daily Mail”.

 

Megjithatë, sipas një hulumtimi, disa prej produkteve tashmë po prodhohen në Kinë, Egjipt dhe Holandë, ndërsa në disa produkte tjera nuk shkruhet fare vendi i prodhimit.

Çokollata Twix për tregun australian është duke u prodhuar në Egjipt, ku kompania i ka investuar 83 milionë dollarë për hapjen e një fabrike.

Nuk dihet se para sa kohësh ka filluar prodhimi i këtyre çokollatave jashtë vendit, por konsumatorët kanë thënë se ato nuk e kanë më shijen origjinale.

Kompania ka filluar të prodhojë edhe çokollata Snickers në Kinë përderisa në fabrikën australiane është duke u bërë një investim.

Sidoqoftë, prodhuesi ka konfirmuar përmes një deklarate se prodhimi i çokollatave Twix dhe Bounty është zhvendosur në mënyrë të përhershme jashtë vendit.


(Kosova Sot Online)