Minutat e fundit të jetës së George Floyd, vdekja e të cilit ndezi protestat e dhunshme në SHBA

  • 02 June 2020 - 08:40
Minutat e fundit të jetës së George Floyd, vdekja e të cilit ndezi protestat e dhunshme në SHBA

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përfshirë nga protestat mbarëkombëtare, pas vdekjes së një burri afrikano-amerikan, pas një arresti policor.

George Floyd, 46 vjeç, vdiq pasi u arrestua nga policia jashtë një dyqani në Minneapolis, Minesota.

Pamjet e arrestimit në 25 maj tregojnë një oficer të bardhë të policisë, Derek Chauvin, duke vendosur gjurin në qafën e z. Floyd ndërsa ai ishte i shtrirë në dysheme.

Z. Chauvin, 44, është akuzuar për vrasje.

Siç shkruan BBC, ngjarjet kryesore që çuan në vdekjen e z. Floyd ndodhën brenda 30 minutave.

Bazuar në deklarimet e dëshmitarëve, pamjet video dhe deklaratat zyrtare, këtu janë ato që dimë deri më tani.

E gjitha filloi me një raport për një “kartëmonedhë të rreme” prej 20 dollarësh.

Një raportim u bë në mbrëmjen e 25 majit, kur z. Floyd bleu një paketë cigaresh nga Cup Foods, një dyqan ushqimesh.

Duke besuar se kartëmonedha 20 dollarëshe që ai përdori ishte e falsifikuar, një punonjës i dyqanit e raportoi atë në polici.

Z. Floyd kishte jetuar në Minneapolis për disa vjet pasi u transferua atje nga Houston i tij, në Teksas.

Ai kohët e fundit kishte punuar si një punëtor sigurimi në qytet, por, si miliona amerikanë të tjerë, mbeti pa punë nga pandemia e coronavirusit.

Z. Floyd ishte një klient i rregullt në Cup Foods.

Ai ishte një fytyrë miqësore, një klient i këndshëm që kurrë nuk shkaktoi telashe, ka thënë për NBC, pronari i dyqanit, Mike Abumayyaleh.

Por zoti Abumayyaleh nuk ishte në punë ditën e incidentit.

Në raportimin e kartëmonedhës së dyshimtë, punonjësi i tij adoleshent ishte vetëm duke ndjekur protokollin.

Në një telefonatë në 911, të bërë në 20:01, punonjësi i tha operatorit se kishte kërkuar t’ia kthente cigaret, por “ai [Floyd] nuk dëshironte ta bëjë atë”, sipas një transkriptimi të lëshuar nga autoritetet.

Punonjësi tha se burri u shfaq “i dehur” dhe “jo nën kontrollin e vetvetes”, thuhet në transkript.

Menjëherë pas telefonatës, rreth orës 20:08, mbërritën dy oficerë policie.

Z. Floyd ishte ulur me dy persona të tjerë në një makinë të parkuar në një qoshe.

Pasi iu afrua makinës, një nga oficerët, Thomas Lane, nxori armën dhe urdhëroi zotin Floyd të tregonte duart e tij.

(Kosova Sot Online)