Trumpi bisedon në telefon me Putinin për Samitin e G7-ës dhe kontrollin e armëve

  • 02 June 2020 - 08:43
Trumpi bisedon në telefon me Putinin për Samitin e G7-ës dhe kontrollin e armëve

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Vladimir Putin, me ç’rast ia ka bërë të ditur propozimin për mbajtjen e një samiti me më shumë vende pjesëmarrëse, ku do të përfshihej edhe Rusia.

Për shkak të pandemisë, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha javën e kaluar se do ta shtyjë mbajtjen e Samitit të G7-ës për në vjeshtë. Ky samit fillimisht ishte planifikuar të mbahej muajin e ardhshëm. Presidenti amerikan ka planifikuar që t’i ftojë për pjesëmarrje Rusinë, Australinë, Korenë Jugore dhe Indinë.

Kremlini njoftoi se Trumpi i ka treguar Putinit për idenë, por nuk ofroi hollësi të diskutimeve ose nëse lideri rus e ka pranuar ftesën apo jo, shkruan “Free Europe”.

Ndryshe, Rusia ka qenë anëtare e Grupit G7 disa vjet më parë, por ishte përjashtuar për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.

Sidoqoftë, presidenti amerikan ka thënë se beson që është gjë e duhur që Rusia të jetë në këtë grup, sepse, sipas tij, shumë çështje për të cilat bisedojnë këto shtete kanë të bëjnë me Rusinë.

Në anën tjetër, Putini e falënderoi homologun Trump për ventilatorët e dërguar në Rusi për pacientët me koronavirus dhe e përgëzoi për dërgimin e suksesshëm në hapësirë të anijes kozmike të NASA-s.

(Kosova Sot Online)