Shënohet viktima e parë e koronavirusit te refugjatët Rohingya në Bangladesh

  • 02 June 2020 - 13:16
Shënohet viktima e parë e koronavirusit te refugjatët Rohingya në Bangladesh

Një refugjat i moshuar i komunitetit Rohingya është bërë personi i parë që ka vdekur nga koronavirusi në kampet e refugjatëve në jug të Bangladeshit.

Burri i moshës 71-vjeçare vdiq të dielën përderisa po trajtohej në qendrën e izolimit në kamp, bëri të ditur Bimal Chakma, zyrtar i lartë në Komisionin për Riatdhesimin e Refugjatëve, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Së paku 29 refugjatë të këtij komuniteti deri më tani janë diagnostikuar me koronavirus që nga rasti i parë më 14 maj. Zyrtarët thanë se deri më tani janë testuar 332 refugjatë në kampe.

Bangladeshi i ka regjistruar 49,534 raste të infektimeve dhe 672 të vdekur. Në këtë shtet janë vendosur refugjatët e përndjekur nga ushtria e Birmanisë.

Punëtorët humanitarë kanë paralajmëruar se në kampe mund të krijohet një katastrofë humanitare, nëse rritet numri i rasteve me koronavirus.

Një zyrtar tha se kampet janë të stërmbushura me njerëz, ku banorët shfrytëzojnë tualete të përbashkëta.

(Kosova Sot Online)