Bashkë me dy minatorët që vdiqën ishin edhe tre kolegë të tjerë

  • 02 June 2020 - 14:24
Bashkë me dy minatorët që vdiqën ishin edhe tre kolegë të tjerë

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale ka njoftuar se bashkë me dy minatorët që vdiqën sot në Minierën e Artanës, si pasojë e shembjes së dheut, kanë qenë edhe tre punëtorë të tjerë, të cilët kanë marrë lëndime të lehta.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, KPMM’ja ka bërë me dije se punëtorëve që janë shpëtuar u është ofruar ndihmë mjekësore.

“Punëtorët që humbën jetën janë një xehtar dhe një inxhinjer të moshës 50 dhe 51 vjeçare. Ngjarja ka ndodhur me rastin e shembjes së pjesës tavanore të punishtes në të cilën ndodheshin gjatë kohës kur ishin duke kryer punën e tyre punëtorët të këtij ndërrimi, ndërsa 3 punëtorët nga punishtet e tjera i kanë shpëtuar shembjes dhe kanë pësuar lëndime te lehta trupore”, thuhet në komunikatë.

Për këtë rast ka reaguar edhe Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike. MEPTINS u ka shprehur ngushëllime të gjithë familjarëve dhe shoqërisë së të ndjerëve.

Sipas MEPTINS, autoritetet e Republikës së Kosovës po angazhohen maksimalisht për t’u dalë në ndihmë të gjithë minatorëve dhe familjarëve të prekur.

“Shprehim keqardhje të thellë për fatkeqësinë e ndodhur sot, me 2 qershor, në minierën e Artanës ku kanë humbur jetën Idriz Gerbeshi dhe Haki Arifaj. Idriz Gerbeshi ka qenë xehëtar me banim në Hajvali, ndërsa Haki Arifaj inxhinier i diplomuar i xehetarisë nga fshati Gllogovc, Komuna Lipjan. Ngjarja ka ndodhur me shembjen e pa pritur të masës shkëmbore në minierën Artana”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)