Reagon ndaj ShBA-së shteti që i mbyti 230 veta në protesta: Liderët amerikanë të dalin në gjyq ndërkombar

  • 02 June 2020 - 15:05
Reagon ndaj ShBA-së shteti që i mbyti 230 veta në protesta: Liderët amerikanë të dalin në gjyq ndërkombar

Qeveria iraniane e ka kritikuar reagimin e Shteteve të Bashkuara, më saktësisht të qeverisë dhe policisë, ndaj protestuesve që kanë dalë rrugëve për shkak të vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd.

Shefi i sistemit të drejtësisë në Iran, Hojjatoleslam Raeesi, tha: “Liderët e Shteteve të Bashkuara duhet të përballen me gjyq në gjykata ndërkombëtare nën akuzën për vrasje të qëllimshme dhe diskriminim racor”, shkruan “CNN”.

Zëdhënësi i qeverisë iraniane, Abbas Mousavi, e mbajti një konferencë për gazetarë, duke kërkuar nga Shtetet e Bashkuara që, sipas tij, t’i ndalin veprimet agresive dhe shtypjen kundër popullit të vet dhe ta lërë atë të marrë frymë.

“Bota e ka dëgjuar thirrjen tuaj për gjendjen e mizorisë. Bota po qëndron me ju”, tha Mousavi, sipas agjencisë IRNA.

Ndryshe, zyrtarët amerikanë më parë e kanë kritikuar shtypjen e protestave nga autoritetet në Iran. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, vazhdimisht kishte shprehur përkrahje për protestuesit iranianë, që protestonin kundër qeverisë vitin e kaluar dhe këtë vit.

Sidoqoftë, një ligjvënës iranian, Mojtaba Zolnour, ka thënë se 230 persona janë vrarë në protestat që u mbajtën në Iran në nëntor të vitit të kaluar.


(Kosova Sot Online)