Kush janë emrat që u përfolën deri tash për ministra të LDK’së në Qeverinë Hoti

  • 02 June 2020 - 17:21
 Kush janë emrat që u përfolën deri tash për ministra të LDK’së në Qeverinë Hoti

Driton Selmanaj pritet që nga nesër të marrë postin e zëvendëskryeministrit. Burime të medias brenda LDK’së tregojnë disa nga emrat që tashmë janë caktuar për t’i drejtuar ministritë që i takojnë kësaj partie.

LDK’ja ka mbledhur kryesinë për të fundit herë para seancës, nga e cila Avdullah Hoti pritet të dalë kryeministër i Kosovës.

Disa nga emrat e ministrave do të definohen në këtë kryesi, e të tjerët tashmë janë vendosur.

Express mëson se një nga zëvendësit e Avdullah Hotit, i cili pritet të votohet nesër për Kryeministër, do të jetë Driton Selmanaj.

Selmanaj në zgjedhjet e 6 tetorit ka fituar mandatin e deputetit për herë të dytë, ndërsa më parë ishte pjesë e shoqërisë civile.

Siç mëson media, LDK akoma nuk është marrë vesh me AAK’në se cila do ta marrë ministrinë e Mbrojtjes, e cila ministrinë e Shëndetësisë.

Nëse LDK’së i mbetet ministria e Mbrojtjes, në krye të saj do të vazhdojë të qëndrojë Anton Quni.

Ndërkaq, për ministër të Shëndetësisë LDK’ja planifikon ta emërojë infektologun Valbon Krasniqi. Ky u bë i njohur gjatë periudhës së pandemisë, si një nga mjekët që morën në dorë situatën e krijuar në Kosovë nga Covid 19.

Besian Mustafa do të jetë edhe në kabinetin e ri qeveritar, por pritet t’i ndërrohet ministria.

Ministrit në detyrë të Bujqësisë, LDK’ja ia ka caktuar ministrinë për Integrime Evropiane.

Ndryshe, Kryesia e Kuvendit ka caktuar seancën plenare ku pritet të votohet Qeveria e re, nesër në orën 11.

LDK dorëzoi kërkesën për mbajtjen e kësaj seance, pasi Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e 28 majit i dha të drejtë dekretit të Presidentit Hashim Thaci, sipas të cilit ishte mandatuar Hoti për formimin e Qeverisë.

(Kosova Sot Online)