Kush është Avdullah Hoti, politikani që pritet t’i zë vendin Kurtit?

  • 03 June 2020 - 09:44
Kush është Avdullah Hoti, politikani që pritet t’i zë vendin Kurtit?

Avdullah Hoti i lindur më 4 shkurt 1976, në fshatin Ratkoc të komunës së Rahoveci, është politikani nga Rahoveci që pritet të zë vendin e kryeministrit Albin Kurti. Ai edhe në vitin 2017 ka qenë kandidat për kreyministër të Kosovës në koalicionin PDK-LDK (115 mijë e 600 vota)

Avdulalh Hoti është propozuar nga partia e tij Lidhja Demokratike e Kosovës, së bashku me AAK’në e Nismën si kandidat për kryeministër të Kosovës, pas rrëzimit të Kurtit me mocionin e mosbesimit.

Hoti tashmë është zyrtarisht i nominuari i LDK’së për kryeministër të Republikës së Kosovës,ku pritet të votohet sot duke filluar nga ora 11:00 pas një përvoje të gjatë e të suksesshme në institucionet e vendit. Me vendimin e sontëm të Gjykatës Kushtetuese atij i hapet rruga për t’u bërë kryeministri i tetë i Republikës së Kosovës.

Por kush është Avdullah Hoti që tashmë është zyrtarisht emri për kryeminstër?

Përvoja akademike:

Studimet universitare Bachelor i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës, për të vazhduar më tej me studimet e Magjistraturës dhe të Doktoraturës në Staffordshire University, në Britani të Madhe. Është mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës.

Në të kaluarën ka punuar si hulumtues me kohë të pjesshme në Institutin Riinvest, në Prishtinë. Ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës dhe anëtar i disa këshilleve profesionale dhe akademike në vend dhe jashtë vendit.

Ka botuar gjashtë libra në gjuhën angleze dhe gjashtëmbëdhjetë artikuj shkencor në revista ndërkombëtare lidhur me tregun e punës, zhvillimin ekonomik dhe tranzicionin, arsimin, migrimin dhe remitancat etj.

Karriera politike

Zëvendëskryeministër i Parë i Republikës së Kosovës nga radhët e LDK-së në koalicionin LDK-VV(2020).

Kryetar i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Legjislaturën e VI-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjatë periudhës 2017-2019.

Në vitet 2014-2017, ka shërbyer si Ministër i Financave në Qeverinë e Kosovës. Në vitin 2014 është zgjedhur deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Që nga viti 2011 ka kryesuar Këshillin e Ekspertëve të LDK’së.

Për një mandat, 2010-2013, ka qenë Nënkryetar i Komunës së Prishtinës. Ndërsa në vitet 2008-2009 ka qenë këshilltar për Ekonomi i Kryetarit të komunës së Prishtinës.

Pasuria:

Avdullah Hoti në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK) ka deklaruar në pronësi edhe tri banesa të vogla. Njëra me 67 metra katrorë e blerë më 2010, tjetra vetëm 57 metra e blerë më 2015 dhe e fundit 69 metra e blerë më 2018.

Avdullah Hoti është i martuar dhe ka dy djem, Ledionin dhe Antianin.


(Kosova Sot Online)