E pranon kryeinfektologu suedez: Kemi mundur të bëjmë më mirë kundër Covid-19

  • 03 June 2020 - 13:02
E pranon kryeinfektologu suedez: Kemi mundur të bëjmë më mirë kundër Covid-19

Drejtori i Agjencisë së Shëndetit Publik në Suedi, Anders Tegnell, ka thënë se vendi i tij është dashur të bëjë më shumë për ta luftuar koronavirusin dhe për ta parandaluar shkallën shumë më të lartë të vdekshmërisë sesa në vendet fqinje.

Rreth 4,500 suedezë kanë vdekur deri më tani nga pandemia, që është shifër më e lartë se në Danimarkë, Norvegji dhe Finlandë. Vendimi i qeverisë për të mos marrë masa të rrepta kufizuese, siç është bërë në pjesën tjetër të Evropës, është kritikuar shumë, shkruan “The Guardian”.

“Nëse do të kalonim nëpër të njëjtën sëmundje, duke e ditur saktësisht atë që e dimë sot, mendoj se do të duhej të përfundonim duke bërë diçka mes asaj që Suedia e ka bërë dhe asaj që pjesa tjetër e botës e ka bërë”, tha Tegnell për radion suedeze. “Po, unë mendoj se kemi mundur të bëjmë më mirë nga ajo që kemi bërë në Suedi, qartazi”, shtoi ai.

Përderisa shumica e vendeve të Evropës, përfshirë Norvegjinë, Danimarkën dhe Finlandën, i mbyllën shkollat, dyqanet dhe kafenetë, Suedia u mbështet më tepër në masa vullnetare, distancim social dhe këshilla për higjienë.

Suedia i ndërpreu vizitat në shtëpitë e të moshuarve në fund të marsit, por rreth gjysma e rasteve fatale në këtë shtet kanë qenë persona të moshuar që ishin duke banuar në qendra të kujdesit.

(Kosova Sot Online)