Arabia Saudite dhe Rusia arrijnë marrëveshje për pakësimin e prodhimit të naftës

  • 03 June 2020 - 16:13
 Arabia Saudite dhe Rusia arrijnë marrëveshje për pakësimin e prodhimit të naftës

Arabia Saudite dhe Rusia kanë arritur marrëveshje preliminare për ta zgjatur pakësimin e prodhimit të naftës edhe për një muaj, duke e shtuar presionin ndaj vendeve të tjera prodhuese.

Anëtaret e organizatës OPEC u pajtuan që ta pakësojnë prodhimin e naftës për 9.7 milionë fuçi në ditë ose rreth 10 për qind të sasisë globale për maj dhe qershor me qëllim të ngritjes së çmimit.

Në vend se ta lehtësojnë zvogëlimin e prodhimit, shtetet anëtare të kësaj organizate janë duke diskutuar që kjo masë të vlejë edhe pas qershorit, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

“Arabia Saudite dhe Rusia janë në një vijë për zgjatje për një muaj. Çfarëdo marrëveshjeje për zgjatjen e shkurtimit të prodhimit varet nga shtetet që nuk e kanë respektuar plotësisht atë në maj”, tha një burim i OPEC-ut.

Iraku dhe Nigeria, të cilat janë shtete anëtare në këtë organizatë, kanë shënuar rezultate të dobëta për pakësimin e prodhimit në muajin maj.

(Kosova Sot Online)