Ismet Beqiri e AKR përfitojnë nga ndërrimi i Qeverisë, Abdixhiku e NISMA humbin

  • 03 June 2020 - 16:59
 Ismet Beqiri e AKR përfitojnë nga ndërrimi i Qeverisë, Abdixhiku e NISMA humbin

Formimi i Qeverisë së Avdullah Hotit ka sjellë ndryshime të reja në Kuvend. Aty rikthehet Ismet Beqiri, e merr një deputet AKR’ja, e e humb Nisma. Lumir Abdixhiku i cili nuk do të jetë ministër në Qeverinë e re, po ashtu e ka humbur mandatin kur është emëruar në Qeverinë Kurti.

Duke u bërë pjesë në dy Qeveri të ndryshme prej zgjedhjeve të 6 tetorit, disa prej kandidatëve të LDK’së u ka ardhur rendi që të hyjnë në Kuvend.

Në raundin e dytë të zëvendësimeve të deputetëve që e lanë legjislativin për pozita ministrore, rendi i ka ardhur që të rikthehet në Kuvend.

Tre deputetët e zgjedhur të LDK’së, Driton Selmanaj, Armend Zemaj dhe Arban Abrashi, janë bërë pjesë e Qeverisë së Avdullah Hotit, duke e humbur automatikisht mandatin e deputetit, ashtu siç e parasheh ligji.

Driton Selamanj është emëruar zëvendëskryeministër, ndërsa në vend të tij është bërë deputet Visar Hoti, që në zgjedhjet e 6 tetorit kishte 7 299 vota.

Armend Zemaj është zgjedhur ministër i Shëndetësisë, ndërsa me largimin e tij, i është liruar vendi Ismet Beqirit. Kryetari i degës së parë të LDK’së, në zgjedhjet e fundit mori 7026 vota.

Deputeti i zgjedhur i LDK’së, Lumir Abdixhiku, e kishte fituar mandatin por pas emërimit në Qeverinë Kurti e ka humbur atë.

Edhe Arban Abrashi është bërë ministër i Infrastrukturës, e në vend të tij në Kuvend hyn Faton Bislimi.

Ndërkaq me shkuarjen e Albulena Balajt – Halimajt, e cila është propozuar nga Nisma si zëvendëskryeministre, në Kuvend hynë Arbresha Krasniqi e AKR’së. Nisma kishte katër deputetë, e AKR’ja dy. Për shkak se ishin në koalicion parazgjedhor mandatin e Nismës e merr kandidatja e AKR’së.

(Kosova Sot Online)