Reagon Lëvizja Vetëvendosje: Truprojat e Presidentit gjakosën brutalisht aktivistin tonë që guxoi të ngrejë zërin ndaj Thaçit

  • 03 June 2020 - 18:10
 Reagon Lëvizja Vetëvendosje: Truprojat e Presidentit gjakosën brutalisht aktivistin tonë që guxoi të ngrejë zërin ndaj Thaçit

Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë reaguar pas arrestimit të një aktivisti të kësaj partie, që sot gjatë kohës sa presidenti i vendit, Hashim Thaçi po mbante konferencë në oborr të Kuvendit, bërtiti “hajn” dhe “pronto”.

Përmes një reagimi nisur për media, nga partia e Albin Kurtit kanë deklaruar se truprojat e presidentit kanë goditur dhe e kanë rrahur deri në gjakosje aktivistin Veron Hasani.

Kjo sipas LVV’së ka ndodhur pasi që Hasani ka bërtitur “o hajn”, sa Thaci po mbante konferencë në oborr të Kuvendit.

“Nga pamjet e videos bashkangjitur, xhiruar nga mediat, shihet qartë sjellja çnjerëzore dhe brutale e këtyre truprojave ndaj një qytetari që nuk ka bërë asgjë, përveçse ka folur. Me të mbaruar punë me qytetarin, truprojat i janë kthyer gazetarit, i cili po ashtu është sulmuar që t’i merret videoja. Mbulimi i gjurmëve, karakteristikë e bashkëpunëtorëve të këtij presidenti. Një regjim që nuk e duron të vërtetën, kritikën, dhe drejtësinë mund të sillet vetëm në këtë mënyrë”, thuhet në reagim.

Nga kjo parti kanë kërkuar që ky aktivist të lirohet menjëherë derisa kanë kërkuar nga organet e rendit që të arrestojnë personat që kanë goditur Hasanin.

:Lëvizja VETËVENDOSJE! aktivistët dhe asnjë qytetar nuk ua ka frikën shkelmave të fundit të Pronto-Presidentit që ka humbur toruan. Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të Veronit, si dhe kërkojmë nga organet e rendit arrestimin e këtyre personave të cilët godasin qytetarët vetëm pse flasin lirshëm në sheshet e Republikës. Ftojmë edhe organizatat që merren me monitorimin e të drejtave njerëzore e politike, me demokracinë e lirinë e fjalës, të reagojnë kundër kësaj arrogance diktatoriale që po tenton të imponohet nga ana e Thaçit në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

(Kosova Sot Online)