Aktivisti i VV-së: Qellim im nuk ishte ta sulmoja presidentin por...

  • 04 June 2020 - 07:16
Aktivisti i VV-së: Qellim im nuk ishte ta sulmoja presidentin por...

Aktivisti i Vetëvendosjes, Veron Hasani, që u përplas dje me mbrojtjen e afërt të Presidentit të Republikës së Kosovës, tha se nuk e kishte qellim ta sulmonte presidentin, por vetëm t’i thoshte se ka vjedhur vullnetin e qytetarëve. Në një paraqitje për mediat, Hasani tha se truprojat e Thaçit shkuan në drejtim të tyre dhe i sulmuan.

“Qeveria Hoti bashkë me presidentin Thaçi kanë filluar dhunën ndaj qytetarëve. Ata padrejtësisht e vodhën dhe e shtrembrunë vullnetin e qytetarëve. Ttruprojat e Thaçit erdhën në drejtim timin dhe shokëve që ishim bashkë dhe na sulmuan. Ata kanë përdorur dhunë fizike ndaj meje, kemi shku në QKUK për mu trajtu dhe pas kësaj siç e tha edhe avokati, do t ‘i ndjekim penalisht për dhunën që kanë ushtruar ndaj një qytetari të Kosovës, ndaj meje”, ka thënë ai.

“Jo, s’kam pasur komunikim verbal ata kanë ardhur drejt meje pa e ditur se kush janë në të vërtet, pa u prezantuar se janë polic të Kosovës, apo Mbrojtja e Afërt e Hashim Thaçit. Jo, qellimi jem nuk ka qenë Hashim Thaçin po me ia dëshmu Hashim Thaçit që është hajn i vullnetit të qytetarëve”, tha ai.

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se ky ka qenë një provokim i orkestruar nga një aktivist i Kurtit për të cenuar sigurinë e presidentit.

Presidenti Thaçi ka shkuar edhe më tutje duke thënë se është dashur Kurti vetë të shkojë aty e jo të dërgojë aktivistë. Madje, Thaçi nuk ka hezituar të thotë se në këtë rast do t’ia tregonte vendin Kurtit.

“Nëse ka tentu me u futë në oborr të presidencës është sjellje në përputhje me përgjegjësitë e tyre. Askush nuk ka të drejtë të cenojë sigurinë e presidentit. Ka qenë provokim për të cenuar presidentin, institucionet e vendit. Mendoj se njerëzit e mbrojtjes së afërt kanë bërë një punë të shkëlqyeshme. Është aktivistit i Kurtit, veprime të tilla rrugaçërie çfarë pretendojnë ti bëjnë, duhet t’i ndalojmë. Ai që pretendon me të goditë, unë jam me i goditë i pari. Kjo rrugaçëri duhet të marrë fund. Unë besoj që është sjellje e butë, do të kishte qenë më mirë me ardhë vet Kurti. Ka marrë fund ajo kohë kur ka qenë i amnistuar ndaj veprimeve të tilla. Unë ja tregoj vendin”, u shpreh ndër të tjera Thaçi.

(Kosova Sot Online)