Prokuroria dhe Inspektorati fillojnë të trajtojnë incidentin e djeshëm mes truprojave të Thaçit dhe aktivistit të VV’së

  • 04 June 2020 - 13:56
Prokuroria dhe Inspektorati fillojnë të trajtojnë incidentin e djeshëm mes truprojave të Thaçit dhe aktivistit të VV’së

Inspektorati Policor i Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit përmes një komunikate të përbashkët kanë njoftuar se janë duke e trajtuar incidentin e djeshëm në afërsi të oborrit të Kuvendit të Kosovës ku truprojat e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, janë përplasur fizikisht me një aktivist të Lëvizjes Vetëvendosje i cili e kishte quajtur kreun e shtetit si ‘hajn’.

“Prokuroria e Shtetit dhe Inspektorati Policor i Kosovës janë duke trajtuar incidentin në lidhje me veprimet e oficerëve të mbrojtjes së afërt të Presidentit të Kosovës”, thuhet në komunikate.

Dy këto institucione kanë thënë se janë duke e trajtuar shumë seriozisht pretendimin se ka pasur sjellje të kundërligjshme nga mbrojtja e afërt e presidentit.

“Si Prokuroria ashtu edhe Inspektorati Policor trajtojnë shumë seriozisht çdo pretendim të sjelljes së kundërligjshme dhe do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, thuhet tutje.

Në fund bëjnë thirrje që të gjithë ata që mund të kenë informacione shtesë lidhur me rastin të njëjtat t’ua ofrojnë Prokurorisë dhe Inspektoratit.

“Po ashtu, Prokuroria e Shtetit dhe IPK-ja u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që mund të posedojnë informacione shtesë lidhur me këtë rast t’i përcjellin të njëjtat duke siguruar konfidencë të plotë me rastin e trajtimit të tyre dhe duke siguruar publikun që do të vazhdohet me hetimin e këtij rasti me gjithë seriozitetin që e meriton”, përfundon njoftimi.

(Kosova Sot Online)