Komunat do të ndalin shumë projekte si pasojë e krizës nga koronavirusi

  • 04 June 2020 - 15:08
Komunat do të ndalin shumë projekte si pasojë e krizës nga koronavirusi

Komunat e Kosovës kanë shënuar rënie të madhe të të hyrave vetanake gjatë kohës kur Kosova po përballet me pandeminë e koronavirusit.

Tridhjetë e tetë komunat e Kosovës, për vitin 2020 kanë planifikuar të hyra vetanake në vlerë rreth 83 milionë eurosh, por që kjo do të jetë e paarritshme, sipas një hulumtimi që ka bërë Instituti për Studime të Avancuara (GAP).

Në bazë të raportimeve që komunat e Kosovës kanë bërë në Ministrinë e Financave dhe Transfereve në muajin mars dhe prill, thuhet të kenë arkëtuar afër 10 milionë euro më pak krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Bekim Salihu, hulumtues në GAP, tha për Radion Evropa e Lirë se ky hulumtim ka vënë në pah se pandemia ka goditur rëndë të hyrat në komunat e Kosovës.

“Vlerësimi i bërë nga GAP tregon që në të gjitha komunat e Kosovës ka rënie të mëdhe të të hyrave komunale dhe kjo në disa komuna ndryshon nga 45 për qind deri në 90 për qind. Kjo përkthyer në shifra i bie që vetëm gjatë muajit mars dhe në muajin prill, komunat kanë humbur 9,3 milionë euro të hyra vetanake”, tha Salihu.

Komunat, sipas hulumtimit të GAP-it, do të dalin të dëmtuara në të hyra vetanake veçmas nga kategoria e tatimit në pronë, nga gjobat policore në rrugët lokale, nga vendimet e gjykatave dhe nga shfrytëzimi i hapësirave publike nga ana e gastronomisë.

124 projekte kapitale do të shtyhen si pasojë e pandemisë

Rënia e të hyrave në komunat e Kosovës do të përcillet me pamundësi të realizimit të disa projekteve kapitale.

Nga hulumtimi i zhvilluar, thotë Salihu, së paku në 16 komuna, 124 projekte kapitale do të shtyhen si pasojë e gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19.

“Do të jetë një vit problematik sa i përket investime publike për shkak se të hyrat nuk do të bien vetëm tek niveli lokal, por edhe tek ai qendror dhe kjo do të ndikojë edhe në nivelin lokal”, thotë Salihu.

Nga parashikimet që janë bërë nga Qeveria në detyrë e Kosovës është thënë se buxheti i shtetit mund të ketë deri në 200 milionë euro më pak të hyra të cilat mblidhen nga Administrata Tatimore e Kosovës dhe Doganat.

Një punëtor dezinfekton një shportë ushqimesh në një supermarket në Prishtinë. 17 prill, 2020.

Qeveria e Kosovës, në pakon e parë emergjente fiskale pati ndarë 10 milionë euro për komunat e Kosovës që do të shfrytëzohen për tejkalimin e pasojave të krijuara nga masat e ndërmarra në parandalimin e sëmundjes COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi.

Por, që kjo vlerë thotë Salihu, është e pamjaftueshme për të sanuar pasojat e pandemisë.

Niveli qendror të ndihmojë atë lokal

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, tha për Radion Evropa e Lirë se masat e marra për parandalimin e COVID-19 do të ndikojnë në mosinkasimin e të hyrave vetanke, që përbejnë një pjesë substanciale të buxhetit të komunave.

“Pandemia do të jetë një faktor që do të shkaktojë që këto të hyra (rreth 83 milionë euro të planifikuara në 2020) të mos mbledhin në nivelin e lartë. Ne shpresojmë që në bashkëpunim me nivelin qendror, projektet kapitale që kanë qenë të planifikuara në buxhetin e komunave, të kompensohen”, thotë Ibrahimi.

Një dyqan i mbyllur në Prishtinë për shkak të pandemisë.

Kosova pa të dhëna të sakta për dëmet ekonomike nga COVID-19

Mosinkasimi i të hyrave komunale, shton Ibrahimi, do të ndikojë në jetën e qytetarëve të këtyre komunave, ku nuk do të mund të realizohen projektet kapitale të cilat kryesisht kanë pasur të bëjnë me përmirësimin e infrastrukturës.

“Çdo investim në komunat që e kanë planifikuar për këtë vit e kanë pasur për qëllim që të ketë ndikim në përmirësimin e jetës së qytetarëve, si projektet që kanë të bëjnë me rrugë, ujësjellës, kanalizim e të tjera”, thotë Ibrahimi, duke shtuar, se kryetarët e komunave janë zotuar që këto projekte që nuk realizohen në këtë vit, do të realizohen në vitin e ardhshëm.

Pushteti lokal në Kosovë ka luajtur rol aktiv në ndërmarrjen e masave në parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Të gjitha komunat e Kosovës kanë aktivizuar shtabet lokale të krizave dhe kanë krijuar grupet operative në terren.

(Kosova Sot Online)