Sulmi ndaj aktivistit të VV’së nga Policia dhe truprojat e Presidentit, reagon Policia

  • 04 June 2020 - 16:12
 Sulmi ndaj aktivistit të VV’së nga Policia dhe truprojat e Presidentit, reagon Policia

Policia e Kosovës ka dalë me një njoftim lidhur me arrestimin e një qytetar pranë Kuvendit të Kosovës nga truproja e Presidentit Hashim Thaçi dhe Policia për shkak se e quajti Thaçin “hajn”, derisa ky po mbante konferencë në oborrin e Kuvendit.

Policia thotë se aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje është arrestuar për prishje të rendit dhe qetësisë publike, ndërsa shton se atij i është ofruar trajtimi mjekësor dhe avokati.

“Referuar rastit të ndodhur me 03.06.2020 afër Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku është ndaluar një person për ‘prishje të rendit dhe qetësisë publike’, Policia e Kosovës lidhur me këtë rast i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme konform autorizimeve ligjore që ka”, thuhet në njoftimin e Policisë.

“Personit të shoqëruar në stacionin policor i është ofruar trajtimi mjekësor si dhe sipas detyrës zyrtare i është caktuar avokati mbrojtës”.

Në media është publikuar videoja kur truprojat e Presidentit kalojnë rrethojat për ta zënë personin që bënte thirrje nga jashtë oborrit, e të cilin më pas e arrestuan. Policia thotë se Inspektorat Policor tashmë po merret me sjelljen e zyrtarëve policorë.

“Njëkohësisht lidhur me veprimet e zyrtarëve policorë, sipas dispozitave të parapara ligjore është informuar Inspektorati Policor, për trajtim dhe kompetencë të mëtejme të rastit. Policia e Kosovës bashkëpunon ngushtë me institucionet e drejtësisë dhe Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe mbetet e përkushtuar në respektimin e të drejtave të njeriut në zbatim të detyrave dhe autorizimeve ligjore”, përfundon njoftimi.

(Kosova Sot Online)