Incidenti te Kuvendi, Lëvizja Fol: Presidenti Thaçi promovon cenimin e lirisë së shprehjes

  • 04 June 2020 - 16:31
 Incidenti te Kuvendi, Lëvizja Fol: Presidenti Thaçi promovon cenimin e lirisë së shprehjes

Lëvizja Fol ka dënuar veprimet e stafit të mbrojtjes se Presidentit Thaçi pas sulmit që i bënë aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë kohës sa ai po mbante konferencë.

Lëvizja Fol ka thënë se me këtë Presidenti Thaçi promovon cenimin e lirisë së shprehjes.

“Debate Center dhe Lëvizja FOL dënojnë ashpër veprimet e stafit të mbrojtjes së Presidentit Thaçi. Debate Center dhe Lëvizja FOL kanë parë me shqetësim të madh veprimet e anëtarëve të mbrojtjes së afërt të presidentit Thaçi kundrejt një qytetari i cili, përmes fjalës së lirë, kishte shprehur pakënaqësitë e tija ndaj udhëheqësve dhe mënyrës së udhëheqjes së shtetit”, thuhet në reagimin e lëvizjes Fol.

Sipas Lëvizjes Fol, reagimi i stafit të sigurisë së presidentit ka shkelur të drejtat dhe liritë themelore të përcaktuara në kushtetutë.

“Reagimi i stafit të sigurisë së presidentit ka shkelur të drejtat dhe liritë themelore të përcaktuara në nenin 23 të Kushtetutës [Dinjiteti i Njeriut] dhe Nenin 26 [E Drejta e Integritetit Personal] duke krijuar kështu një precedent të rrezikshëm të shtypjes së mendimit dhe shprehjes së lirë”, thuhet në reagim.

Tutje, Lëvizja Fol ka thënë se deklaratat publike të presidentit për arsyetimin e veprimeve të stafit të tij mbështesin dhunën fizike ndaj qytetarëve.

“Deklaratat publike të Presidentit Thaçi, përmes së cilave arsyetohen veprimet e sigurimit të tij, shpërfaqin mosrespektim të të drejtave themelore të njeriut dhe mbështesin dhunën fizike ndaj qytetarëve”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Fol.

(Kosova Sot Online)