Ja i dyshuari për vrasjen e vogëlushes Maddie

  • 05 June 2020 - 08:44
Ja i dyshuari për vrasjen e vogëlushes Maddie

Zhdukja e vogëlushes britanike, Madeleine McCann është cilësuar si ‘misteri i shekullit’.

Por duket se ngjarja po shkon drejt zbardhjes, të paktën nëse u beson raportimeve intensive nga gazetat më të mëdha britanike dhe gjermane.

Prokurorët gjermanë thanë sot se dyshojnë se vogëlushja Maddie ka vdekur. I dyshuari kryesor është gjermani Christian Brueckner. Ai është dënuar me shtatë vite në një burg në Gjermani për përdhunimin e një turisteje 72-vjeçare amerikane.

Christian Brueckner mendohet se i ka treguar një miku të tij për rrëmbimin e vogëlushes Maddie teksa po pinin. Ishte 10-vjetori i zhdukjes së vajzës dhe në një ekran u shfaq fytyra e vogëlushes. Më pas ai i tregoi shokut edhe një video teksa përdhunonte një grua.

Gjermani kishte mbi shpinë të paktën 17 dënime për abuzime seksuale me minorene. Një komshi i tij tha se ai përzgjidhte gjithmonë vogëlushet minorene.

Ai jetonte në një makinë kampingu në zonën ku u zhduk vogëlushja në Portugali më 3 maj të vitit 2007. Ai po ashtu lëvizte edhe me një makinë Jaguar në atë zonë. Të dy makinat janë sekuestruar nga policia, e cila thotë se gjermani ka bërë edhe një telefonatë një orë përpara zhdukjes së vogëlushes.

Lajmi mund të jetë një lehtësim për prindërit e Maddie, Kate dhe Gerry McCann, të cilët po ashtu janë akuzuar se mund të kenë gisht në zhdukjen e vajzës. Ata thanë se vazhdojnë të shpresojnë që vajza të jetë gjallë.

Muajin e shkuar, ata publikuan një letër të hapur në ditën që duhej të ishte 17-vjetori i ditëlindjes së vajzës.

Trevjeçarja Maddie u zhduk teksa flinte bashkë me dy fëmijët e tjerë të çiftit. Këta i kishin lënë vetëm fëmijët në apartamentin e pushimeve dhe kishin dalë në një restorant aty afër.

Çifti thotë se ata i kontrollonin vazhdimisht fëmijët. Por një dokumentar i publikuar vjet nga Netflix, hedh dyshime të forta mbi prindërit.


(Kosova Sot Online)