Deputetët kërkojnë që t’u kthehen depozitat të burgosurve

  • 05 June 2020 - 13:46
Deputetët kërkojnë që t’u kthehen depozitat të burgosurve

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar raportin e auditimit të Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2019.

Raportin e Komisionit, e paraqiti anëtari Eman Rrahmani, ndërkaq sqarime shtesë para anëtarëve të Komisionit dhanë edhe përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, përfaqësues të Shërbimit Korrektues të Kosovës, si dhe ata nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Anëtari i Komisionit Eman Rrahmani, sqaroi fillimisht se raporti i Auditimit për vitin 2019, është me opinion të pamodifikuar dhe se pasqyrat vjetore financiare janë prezantuar në mënyrë të drejtë, duke përmendur në vijim  edhe disa nga të gjeturat.

Rrahmani mes tjerash tha se ka keqësim të ekzekutimit të buxhetit dhe shtoi se ka disa të gjetura që janë paraqitur në fushën e të hyrave dhe shpenzimeve.

Gjatë këtij takimi, u shfaqën edhe disa shqetësime nga anëtarë të Komisionit lidhur me të gjeturat në këtë raport. Me theks të veçantë, debat i gjerë u  zhvillua rreth kthimit të depozitave të burgosurve.

Në çështjet që u ngritën, sqarimet e nevojshme i dhanë Qemajl Marmullakaj, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë dhe Nehat Thaçi, sekretar i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Sekretari i MD-së, tha mes tjerash se tashmë është themeluar komisioni për adresimin e rekomandimeve të Auditorit dhe se MD-ja ka filluar me barazimin e të hyrave çdo muaj dhe janë ndërmarrë masat adekuate për adresim të kësaj çështje.

Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, Qemajl Marmullakaj, ka thënë se llogaridhënia nga ky dikaster është elementi kyç i tyre.

“Llogaridhënia është element kyç i Ministrisë së Drejtësisë. Siç e vëreni nga zyra në vitin 2018 ne kemi vazhduar më një procedurë ku në vitin 2017 kemi pasur 14 rekomandime, në 2018 11 rekomandime ndërsa vitin 2019 kemi 9 rekomandime. Opinioni i pamodifikuar në vazhdimësi e kemi pasur këtë opinion”.

“MD-ja i ka kryer detyrat e veta, dhe i kemi dokumentacionet nëse ju si komision i kërkoni. Viti 2019 e kemi çështjen e migrimit të pasurisë, kemi edhe një çështje që ndërlidhet me barazimin e të hyrave. Viti 2019 kemi pasur një ulje të buxhetit, si rrjedhoje e dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, për shkak se buxheti nuk kaloi”, tha ai.

“MD-ja në vazhdimësi është ndërlidhur në çështjet e avokaturës, ku vitin e kaluar kemi pasur 3 raste që dy prej tyre janë marrë masa nga dikasteri jonë. 42 mijë euro ka qenë shuma që janë paguar në lidhje me arbitrazhin dhe një parallogaritje që mbi 1 milionë euro kanë qenë për këtë çështje”, tha ai.

E drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK), Nehat Thaçi, ka komentuar shpenzimet e viteve paraprake. 

“Shërbimi Korrektues i Kosovës në vitin 2017 ka arritur ta shpenzojë buxhetin afër 70 për qind, në 2018 mbi 90 për qind, ndërsa vitin 2019 kemi shpenzuar buxhetin mbi 97 për qind. E kjo është një arritje e madhe për neve si SHKK”, tha ai, raporton Ekonomia Online.

Anëtarja e këtij komisioni nga radhët e LDK-së Besa Gaxherri, tha se të gjeturat e raportit të auditorit duhet të shkojnë direkt në Prokurori e jo të komentohen.

“Gjetjet dhe Raportet e auditorit duhet të shkojnë direkt në Prokurori e jo më të komentohen. Ne si deputetë mund të diskutojmë e jo nga institucionet tjera”, tha ajo.

Pas shterimit të diskutimit lidhur me raportin, u vlerësua se është shënuar progres në raport me vitin paraprak dhe se numri i rekomandimeve krahasuar me vitin e kaluar është zvogëluar.

Por, njëzëri u kërkua që të zbatohen të gjitha rekomandimet e dala nga Auditori dhe që të mos ketë rekomandime të përsëritura nga viti në vit.

Në vijim, u rekomandua që MD-ja në bashkëpunim me MF-në përmes një rregulloreje ose akti nënligjor të adresojnë bashkërisht çështjen e rekomandimit që ka të bëjë me depozitat e të burgosurve.

(Kosova Sot Online)