Ngritet aktakuzë ndaj 8 personave në Prizren, falsifikonin diploma

  • 05 June 2020 - 13:49
Ngritet aktakuzë ndaj 8 personave në Prizren, falsifikonin diploma

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj 8 personave të cilët kryenin veprën penale, “falsifikim dokumentesh”, dhe merrnin 1300 deri në 2000 euro për një punë të kryes si falsifikim.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, të pandehurit kanë kryer këtë vepër penale mashtrimi në disa qytete të Kosovës, pa aplikuar fare për sigurimin e dokumentit në organet kompetente.

Ky veprim i tyre ka përfunduar me 9 tetor të vitit të kaluar.

“Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve M.H., D.G., A.R., M.B., D.M., E.Xh., F.Xh., dhe B.A., për shkak se ekziston dyshimi i bazuar mirë se në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi kanë kryer  veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2, e në lidhje me nenin 31 dhe 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, më tutje në deklaratën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, thuhet se këta 8 persona kanë qenë të organizuar dhe punët i kanë kryer në mënyrë të organizuar, ku masat e aplikimit të fshehta për marrje të diplomës, kanë kaluar në duart e secilit, kinse si zyrtarë.

Këtë e bëjnë deri më datë 09.10.2019, ku përmes aplikimit të masave të fshehta, përmes zyrtarëve të kamufluar dhe infiltruar, arrihet që nga ky grup të sigurohet diploma e lëshuar në emrin e personit nën kamuflimin, i cili aplikon te ky grup dhe merr diplomë kinse i njëjti ka kryer shkollën e mesme teknike “Hasan Tahsini” në Obiliq, e gjithë kjo në kundërvlerë të pagesës së shumës për këtë të fundit prej 1,300 euro, me ç’rast të pandehurit M.H., dhe A.R., kapen në flagrancë nga zyrtarët policorë në momentin kur ishin duke bërë shkëmbimin e parave dhe diplomës së bashku me dëftesat shkollore të falsifikuara. Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

(Kosova Sot Online)